Lidhje

SHBA dhe agresioni rus në Ukrainë


Presidenti amerikan Barak Obama thotë se Shtetet e Bashkuara po udhëheqin botën në kundërshtimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Ai sot paraqiti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje gjatë një fjalimi për studentët të Universitetit Queensland në Brisbane të Australisë, ku po merr pjesë në takimin e G-20-ës.

"Ne po udhëheqim përpjekjet kundër Ebolës në Afrikën Perëndimore, dhe kundër agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, që është një kërcënim për botën siç e pamë nga rrëzimi i avionit malajzian, një tragjedi që i mori jetën shumë njerëzve të pafajshëm në mesin e të cilëve kishte edhe bashkëqytetarë dhe miq tuaj. Si një aleate dhe mike e Australisë, Amerika ndan pikëllimin e këtyre familjeve australiane dhe vendosmërinë e vendit tuaj për drejtësi dhe llogaridhënie".

Komentet e Presidentit Obama vijnë ndërkohë që Presidenti rus, Vladimir Putin, vazhdon të mohojë njoftimet për grumbullimin e trupave ruse dhe automjeteve të blinduara në zonat e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore.

Megjithatë, NATO dhe vëzhguesit evropianë thonë se javët e kaluara kanë parë tanke ruse, trupa dhe armë duke kaluar kufirin në Ukrainën lindore.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun u bëri thirrje udhëheqësve të vendeve të G-20 të përdorin ndikimin e tyre për të nxitur Moskën dhe Ukrainën që të fillojnë bisedimet për zgjidhjen e konfliktit.

"Vazhdimi i konfliktit dhe dhunës në rajonet juglindore të Ukrainës ka ndikim negativ, jo vetëm ndaj paqes dhe sigurisë botërore, por edhe ndaj ekonomisë botërore. Kjo ka pasoja globale në të gjitha aspektet".

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko tha se situata në lindje duhet të zgjidhet përmes dialogut me separatistët e mbështetur nga Rusia.

Megjithatë, ai tha dje se ushtria ukrainase është "e gatshme dhe e aftë të luftojë përsëri" nëse armëpushimi prishet.

Presidenti i Bashkimit Evropian Herman von Rompuy thotë se ministrat e jashtëm evropianë do të takohen të hënën për të vlerësuar situatën në Ukrainë dhe për të diskutuar "hapat e mëtejshme", që mund të përfshijnë intensifikimin e sanksioneve ndaj Moskës.

XS
SM
MD
LG