Lidhje

Mbështetja e SHBA për të drejtat e homoseksualëve në botë ngjall debat

  • Brian Padden

Rritja e qëndrueshme e mbështetjes për lëvizjen e të drejtave të homoseksualëve dhe për martesat e të njëjtit seks në Shtetet e Bashkuara është shoqëruar me mbështetjen e qeverisë amerikane për të drejtat e homoseksualëve në mbarë botën. Por politika e jashtme amerikane për promovimin e të drejtave të barabarta, pavarësisht orientimit seksual, ka ngjallur kritika si brenda dhe jashtë vendit.

Duke jetuar tani relativisht në liri dhe siguri në Nju Jork, artisti dhe regjisori Alexander Kargaltsev kujton sulmet personale dhe dhunën që vuajti si homoseksual në Rusinë e tij amtare.

"Shkova në një demonstratë për të drejtat e homoseksualëve, por në fakt aktiviteti i tipit “Gay Pride” mbeti vetëm një tentativë pasi nuk u realizua. Disa njerëz u arrestuan. Unë u rraha nga policia, të cilët më lanë përtokë të gjakosur."

Zyrtarët amerikanë e konsiderojnë dhunën ndaj homoseksualëve si shkelje të të drejtave të njeriut, prandaj i dhanë strehim zotit Kargaltsev dhe disa refugjatëve të tjerë në bazë të persekutimit me të cilin ishin ndeshur për shkak të orientimit të tyre seksual.

Shtetet e Bashkuara po përdorin gjithashtu diplomacinë dhe ndihmën ndërkombëtare për të mbështetur të drejtat e homoseksualëve. Gazetari Michael Lavers, i gazetës Washington Blade, mori pjesë kohët e fundit në një seminar të sponsorizuar nga qeveria e SHBA-së në Kolumbi, ku bisedoi me aktivistë homoseksualë rreth mënyrave se si të përdorin median për të mbajtur zyrtarët përgjegjës për veprimet e tyre.

"Kjo nuk do të thotë se gjendja në Shtetet e Bashkuara është e përsosur. Sigurisht, ne kemi problemet tona me diskriminim dhe gjëra të ngjashme, por personat jashtë Shteteve të Bashkuara – të paktën ata me të cilët kam folur në Kolumbi dhe në vende të tjera – i shohin Shtetet e Bashkuara pothuajse si një shembull se si t’i bëjnë gjërat në mënyrën e duhur."

Presidenti Obama ishte në Senegal kur Gjykata e Lartë e SHBA-së zgjeroi të drejtat për martesë të homoseksualëve. Në Senegal dhe në 38 vende të tjera në Afrikë, homoseksualiteti konsiderohet krim dhe në disa shtete është i dënueshëm me vdekje. Presidenti foli në mbështetje të martesave të së njëjtit seks.

"Ne besojmë tek drejtësia themelore dhe unë mendoj se vendimi i djeshëm nënkupton një hap më shumë për t'u siguruar që këto parime themelore të zbatohen për të gjithë."

Presidenti senegalez Macky Sall tha se vendi i tij me shumicë muslimane nuk është gati për të ndryshuar ligjet që e cilësojnë homoseksualitetin si krim.
Kundërshtarët e martesave mes personave të së njëjtës gjini në Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu kritikë ndaj politikës së jashtme amerikane që mbështet këtë lloj martese, e cila nuk është e ligjshme në shumë shtete të vendit. Thomas Peters punon pranë Organizatës Kombëtare për Martesën.

"Ne nuk besojmë se një përkufizim i ri është rruga drejt barazisë. Nëse ripërkufizohet martesa në të vërtetë do të krijohej pabarazi në shoqëri. Prandaj, nga njëra anë, ne mund të mbështesim me bindje të drejtat e homoseksualëve, që ata të mos persekutohen për shkak të orientimit apo për mënyrën e tyre të jetesës, por gjithashtu mund të mbrojmë martesën dhe këtë po bëjmë."

Grupet e të drejtave të njeriut janë dakord se mbrojtja e fjalës së lirë dhe lufta kundër dhunës të nxitur nga urrejtja e diskriminimi duhet të jenë prioritet për politikën e jashtme amerikane, por ata shtojnë se mbështetja e të drejtave të barabarta nënkupton dhe duhet të përfshijë edhe mbështetjen për të drejtën për t’u martuar të çifteve të të njëjtit seks.
XS
SM
MD
LG