Lidhje

SHBA: Senati miraton naftësjellësin e debatueshëm


Megjithëse ka pasur një mbingopje me naftë në shkallë globale, Senati amerikan ka votuar me 62 vota pro dhe 36 kundër miratimin e ndërtimit të një naftësjellësi të debatueshëm për të transportuar naftë bruto në shtetet amerikane të pjesës së Gjirit. Presidenti Barack Obama ka paralajmëruar se do t’i vërë veton projektit, që vë përballë njëri-tjetrit interesat e fuqishme të biznesit me ambjentalistët, në një kohë kur amerikanët janë të kënaqur nga rënia e ndjeshme e çmimeve të karburantit.

Në gjithë Shtetet e Bashkuara, kushdo që përdor makinën, është i kënaqur. Çmimet e karburantit janë pothuajse përgjysmuar gjatë gjashtë muajve të fundit, duke u kursyer para konsumatorëve.

Megjithëse karburanti është i bollshëm aktualisht, senati amerikan votoi që kjo prirje të vazhdojë, duke miratuar naftësjellësin Keystone XL që do të rriste rrjedhën e naftës kanadeze në rafineritë amerikane. Projekti ka përfitime nga ana ekonomike dhe e energjisë, thotë kreu i shumicës republikane, Mitch McConnell.

"Ndërtimi i këtij projekti infrastrukture do të sillte miliarda dollarë për ekonominë tonë”.

Republikania tjetër, Lisa Murkowski e sheh këtë çështje nga pikëpamja gjeopolitike.

“A nuk është më mirë ta marrim naftën nga aleatja jonë, Kanadaja sesa nga Venezuela?”

Kundërshtarët thonë se Keystone do të sjellë vetëm një numër të moderuar vendesh pune dhe se nafta, pasi të përpunohet do të eksportohet dhe nuk do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara. Dhe rërat bituminoze janë ndër ndotësit më të mëdhenj të ambjentit, thotë senatorja demokrate, Barbara Boxer.

“Ne e dimë që ka ndotës të rrezikshëm të ajrit dhe kancerogjenë të rërave bituminoze që janë dokumentuar dhe e gjithë kjo për të ndihmuar një komnpani private kanadeze që të bëjë sasi të mëdha parash dhe ne as nuk do të mund ta mbajmë naftën këtu”.

Vota e Senatit erdhi pas afro tre javësh debate. Miratimi në Dhomën e Përfaqësuesve, është pothuajse i sigurt, por po aq e sigurt është edhe vetoja presidenciale.

“Le të shohim përtej një naftësjellësi. Nëse nuk veprojmë me vendosmërim, ne do të kontribuojmë në rritjen e nivelit të oqeanëve, shtimin e ngrohjes globale, thatësirat dhe përmbytjet”.

Shumica e amerikanëve as nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për Keystone. Cmimet më të ulëta të gazit nuk e kanë ulur mbështetjen e shumicës së publikut për projektet e naftës, sipas analistit Carroll Doherty.

“Pikëpamjet e publikut për energjinë dhe mjedisin janë pak më të thjështëzuara në kuptimin që nëse i pyet njerëzit nëse duan burime alternatike të energjisë, ata thonë po. Dhe kur i pyet për disa nga burimet tradicionale të energjisë, njerëzit janë dakord edhe për to. Shumë amerikanë nuk e shohin këtë si cështje zgjedhjesh që duhet të bëjnë, por si dëshirë për të pasur më shumë energji nga shumë burime”.

Tani për tani, amerikanët janë të kënaqur kur furnizojnë makinat, me ose pa Keystone.

XS
SM
MD
LG