Lidhje

Ekspertët: Shkurtimet mund të dëmtojnë ekonominë amerikane


Presidenti amerikan Barak Obama po i bën thirrje Kongresit të marrë masa për të parandaluar shkurtimet automatike të shpenzimeve me vlerë 85 miliardë dollarë që do të hynin në fuqi më 1 mars, nëse nuk arrihet marrëveshje. Afati për këto shkurtimeve automatike rezultoi nga bisedimet mbi rritjen e tavanit të borxhit të zhvilluara në gusht të vitit 2011. Kongresi dhe presidenti ranë dakord për përfshirjen e parashikimit të shkurtimeve të thella buxhetore, si një mënyrë për të detyruar marrjen e masave për uljen e defiçitit kombëtar. Por kërcënimi nuk funksionoi dhe tani pritet hyrja në fuqi e shkurtimeve brenda disa ditësh nëse Kongresi nuk arrin një kompromis.

Demokratët dhe republikanët në Uashington edhe një herë do të përballen mbi çështjen e borxhit kombëtar. Republikanët po bëjnë thirrje për shkurtime të shpenzimeve në programet e brendshme ndërsa demokratët po kërkojnë eliminimin e mundësisë për shmangien e taksave nga amerikanët e pasur.


Këtë herë, republikanët që kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve kanë kërcënuar se do të lejojnë hyrjen në fuqi të shkurtimeve automatike të shpenzimeve.

“Shkurtimet automatike do të jenë në fuqi derisa të realizohen shkurtime dhe reforma që do të çojnë në rrugën e balancimit të buxhetit në 10 vitet e ardhshme”.

Presidenti Obama është duke paralajmëruar se shkurtimet do të ishin të ashpra.

“Këto nuk janë shkurtime të menduara me kujdes ose të drejta. Ato do të dëmtojnë ekonominë tonë, do të lënë qindra e mijëra amerikanë pa punë. Nuk po flasim teorikisht. Njerëzit do të humbasin vendet e tyre të punës”.

Ligjvënësi demokrat Steny Hoyer fajëson republikanët.

“Mijëra amerikanë do të humbasin vendet e punës ose do të pezullohen nga puna, përfshirë mësuesit, studiuesit, forcat e sigurisë dhe kontraktorët ushtarak. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se shkurtimet automatike janë politikë e republikanëve, dhe ajo është një politikë e keqe”.

Por disa republikanë, si senatori Rand Paul nga Kentaki, mendojnë se shkurtimet automatike në fakt nuk janë të mjaftueshme.

“Pak njerëz e kuptojnë se shkurtimet automatike madje nuk shkurtojnë as shpenzimet qeveritare. Ato vetëm ngadalësojnë ritmin e rritjes së shpenzimeve”.

Departamenti i Mbrojtjes thotë se trajnimi i trupave dhe mirëmbajtja e avionëve dhe anijeve do të shtyhen ose pezullohen në qoftë se shkurtimet hyjnë në fuqi.

Rreth 800 mijë punonjës civilë të departamentit të mbrojtjes do të detyrohen të marrin një ditë pushim pa pagesë.

Disa ekonomistë thonë se shkurtimet mund të kenë një efekt domino që mund të ndihet në të gjithë ekonominë dhe shërbimet nga të cilat varen amerikanët. Joan Entmacher është eksperte e sigurisë ekonomike të familjeve.

“Shumë punonjës do të pezullohen nga puna, përfshirë ata që inspektojnë sigurinë e ushqimit dhe ujit”.

Pasi ligjet federale e bëjnë të detyrueshëm inspektimin e produkteve të mishit dhe vezëve, prodhimi i këtyre mallrave do të ndalojë në ditët kur inspektorët pezullohen nga puna. Mark Dopp i Institutit Amerikan të Mishit thotë se pezullimet nga puna nuk do të kërcënojë sigurinë e mishit amerikan, por ato do të kenë pasoja të rënda në ekonominë e vendit.

“Shkurtimet do të ndikojnë jo vetëm tek inspektorët të cilët do të pezullohen por edhe mbi 500 mijë njerëz të tjerë të cilët çdo ditë punojnë në industrinë e përpunimit të mishit, nga thertoret e deri te objektet e përpunimit të mishit. Shkurtimet automatike gjithashtu do të ndikojnë edhe prodhuesit e më shumë se një milion bagëtive dhe shpezëve.”

Kanë mbetur disa ditë deri në fillimin e zbatimit të shkurtimeve automatike dhe nuk është e qartë nëse presidenti Obama do t’i ftojë përsëri në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësit e Kongresit në përpjekje për të arritur një marrëveshje kompromisi për buxhetin.

XS
SM
MD
LG