Lidhje

SHBA përballë dy sfidave të rënda për ekonominë

  • Zllatica Hoke

Përpjekjet në Kongresin amerikan për t’i dhënë fund mbylljes së pjesëshme të agjencive qeveritare dhe për të rritur autoritetin huamarrës të qeverisë vazhdojnë pa marrëveshje, ndërsa kanë mbetur vetëm 12 orë nga afati i fundit për rritjen e kufirit të borxhit të qeverisë federale, përndryshe Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të paguajnë të gjitha detyrimet financiare. Udhëheqës politikë dhe ekonomikë po paralajmërojnë se mosmarrëveshjet e vazhdueshme mund të kenë një ndikim negativ si për vetë ekonominë amerikane edhe për ekonomitë e tjera të botës.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner u tha dje gazetarëve se republikanët nuk do të lejojnë mos pagimin e borxheve nga Shtetet e Bashkuara.

“Unë e kam bërë të qartë për muaj të tërë se ideja e mospagimit të detyrimeve tona financiare është e gabuar dhe ne as që duhet t’i afrohemi një skenari të tillë”, tha ai.

Disa orë pasi republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve propozuan një plan të ri për të zgjatur autoritetin huamarrës të qeverisë deri në mes të shkurtit dhe për të hapur qeverinë federale, me disa kushte, një takim i udhëheqësve të partisë arriti në përfundimin se propozimi nuk i kishte votat e mjaftueshme për t’u miratuar.

Në përgjigje të pasigurisë politike në ekonominë më të madhe të botës, agjencia e kreditimit Fitch paralajmëroi dje Shtetet e Bashkuara për "pasoja negative". Zyrtarët thonë se Departamenti amerikan i Thesarit mund të mos jetë në gjendje të paguajë detyrimet e borxhit prej 16.7 trilion dollarësh të vendit nëse nuk lejohet të marrë hua të reja pas mesnatës së sotme.

Udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se një pjesë e këtij borxhi u krijua gjatë administratës së ish presidentit republikan, George W. Bush.

“Një pjesë e madhe e këtij borxhi është e periudhës së administratës së George W. Bushit. Republikanët nuk duan të paguajnë detyrimet tona financiare. Nuk bëhet fjalë për të ardhmen, pagesat që duhet të bëjmë pas 17 tetorit janë detyrime të shpenzimeve, që ne tashmë i kemi bërë. Si mund të lejojmë ne mos pagimin e tyre”?, tha zonja Pelosi.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha se mos ngritja e tavanit të borxhit para aftit në mesnatë do të ishte një precedent i rrezikshëm.

“Sapo arrin në këtë afat, ne do të hyjmë në një territor që nuk kemi hyrë kurrë më parë dhe kjo do të dërgonte një sinjal në gjithë botën rreth pasigurisë që ekziston këtu në Shtetet e Bashkuara lidhur me parimin se ne gjithnjë paguajmë në kohë detyrimet tona financiare. Kjo është arsyeja që ky afat nuk është kapërcyer kurrë më parë”, tha ai.

Robert Shiller, profesor në Universitetin Yale dhe njëri prej 3 fituesve të çmimit Nobel të këtij viti në ekonomi, i tha Zërit të Amerikës se të dyja palët në Kongresin amerikan e dinë fare mirë se mos pagimi i detyrimeve financiare, duke filluar nga nesër, do të kishte pasoja shumë të rënda.

“Unë ende mendoj se do të arrihet një marrëveshje, sepse të dyja palët e dinë se e kundërta përbën një katastrofë. Ato do të debatojnë deri në minutën e fundit, por kufiri i fundit nuk do të kalohet”, thotë profesor Shiller.

Profesor Shiller tha se mospagimi i detyrimeve financiare nga ana e Shteteve të Bashkuara do të ishte shumë i dëmshëm për ekonominë amerikane, megjithëse në fund të fundit ekonomia do të rimëkëmbet. Laureati i çmimit Nobel tha gjithashtu se dëmi për emrin e Shtetet e Bashkuara tashmë është bërë.


XS
SM
MD
LG