Lidhje

Ekonomia në qendër të fjalimit vjetor të Presidentit Obama


Presidenti amerikan Barak Obama mbrëmë në fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen e vendit i dha meritën popullit amerikan për forcimin e vendit. Siç pritej, ai u përqendrua në çështjet ekonomike. Ai bëri thirrje që ky vitë të jetë "një vit i veprimit."

Ishte një pritje të ngrohtë për presidentin e Shteteve të Bashkuara Barak Obama, pavarësisht grindjeve të ashpra politike në Uashington që kanë zgjatur me muaj. Presidenti nuk humbi kohë për të falenderuar vendin për durimin që ka treguar.

"Sonte, kjo dhomë flet me një zë për popullin që ne përfaqësojmë, ju, qytetarët tanë jeni ata të cilët e bëni të fortë vendin tonë."

Zoti Obama në pjesën më të madhe të fjalimit u përqëndrua në ekonominë dhe çështjet me të cilat përballet klasa e mesme, duke siguruar votuesit se gjërat po përmirësohen.

"Për herë të parë në më shumë se një dekadë, udhëheqësit e biznesit në mbarë botën kanë deklaruar se Kina nuk është më vendi numër një në botë për investime, tani Amerika është në vendin e parë në botë për investime."

Megjithatë, ai tha se përparimi nuk po vjen me shpejtësinë e duhur.

"Në fakt,madje edhe në mes të kësaj rimëkëmbje, shumë amerikanë janë duke punuar më shumë se kurrë vetëm për t’ia dalur. Dhe shumë të tjerë ende nuk punojnë fare."

Një pjesë e zgjidhjes së tij janë propozimet për të rritjen e pagës minimale, zgjerimin e mundësive për arsimim dhe reformën e imigracionit.

"Nëse jemi serioz në lidhje me rritjen ekonomike, tani është koha për t'i vënë veshin thirrjeve të udhëheqësve të biznesit, udhëheqësve të sindikatave, udhëheqësve fetar dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit, pra është koha për riparimin e sistemit tonë jo-funksional të imigracionit."

Presidenti Obama gjithashtu u hodh në mbrojtje të ligjit të tij të kujdesit shëndetësor, duke thënë se ai do të punojë me Kongresin kur është e mundur, por ai do të veprojë i vetëm nëse është e nevojshme.

Në përgjigjen Republikane mbrëmë, ligjvënësja Cathy McMorris Rodgers kritikoi politikat e Presidentit Obama.

"Tani për tani, politikat e Presidentit janë duke ia vështirësuar jetën e njerëzve."

Dallimet në mes ligjvënësve dhe presidentit Obama mbeten të pandryshuara në fushat kyçe të politikës së jashtme. Presidenti Obama premtoi se do të vazhdojë luftën kundër Al-Kaidës dhe terroristëve të tjerë, por tha se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një qasje tjetër ndaj vendeve si Irani.

"Për hir të sigurisë sonë kombëtare, ne duhet t’i japim diplomacisë një shans për sukses."

Presidenti tha se ai do t’i vërë veton çdo projekt-ligji për intensifikimin e sanksioneve ndaj Iranit që kërcënon të dëmtojë bisedimet me Teheranin.
XS
SM
MD
LG