Lidhje

Kryeministri turk viziton Shtetet e Bashkuara


Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan takohet me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan ndodhet në Shtetet e Bashkuara për bisedime me zyrtarë të lartë amerikanë për çështje rajonale, përfshirë përshkallëzimin e konfliktit në Siri dhe tensionet në rritje në Lindjen e Mesme. Turqia është një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara që kufizohet me Sirinë, Iranin dhe Irakun.

Siria pritej të mbizotëronte në bisedimet e zotit Erdogan me zyrtarë në Uashington sot. Takimi i parë i zotit Erdogan ishte me Presidentin Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Udhëheqësi turk ka qenë një nga kritikët më të ashpër të Presidentit sirian Bashar al-Assad. Ai ka drejtuar gjithashtu një përpjekje për të armatosur opozitën siriane.

Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se vëmendja do të jetë në përpjekjet për të krijuar një udhëheqje të përkohëshme në Siri.

“Përfshirë përpjekjet që kanë filluar për rigjallërimin e marrëveshjes së Gjenevës për një tranzicion politik. Ne kemi bashkëpunuar me rusët për këtë çështje, si edhe me faktorë të tjerë, si edhe duke përfshirë rrugët për të ndihmuar opozitën dhe popullin sirian”.

Po sot, zoti Erdogan shkon në Departamentin e Shtetit për një takim me Sekretarin e Shtetit John Kerry dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.

Dje, kryeministri Erdogan foli në një Qendër Kulturore Turko-Amerikane në Merilend pranë Uashingtonit. Ai përshëndeti planin ambicioz për ta shndërruar këtë objekt në një qendër kryesore kulturore islamike në këtë zonë deri në fund të vitit, duke thënë se do të ndihmonte për të çrrënjosur atë që ai e quajti “islamofobi në rritje”.

“Do të jetë një vend për të takuar njerëz, për t’u mbledhur. Do të simbolizojë kulturën dhe civilizimin tonë. Siç e dini, kohët e fundit Islamofobia është përhapur. Është një prirje e gabuar dhe ekziston një keqinterpretim i Islamizmit. Por ne do të donim të nxisnim karaktetin miqësor të fesë islame dhe do të tregojmë se sa e gabuar është islamofobia”.

Nesër zoti Erdogan pritet të flasë para një audience në Universitetin Georgetown dhe të marrë pjesë në një bisedë me një grup biznesmenësh.

XS
SM
MD
LG