Lidhje

SHBA premton mbështetje për Ukrainën


Nënpresidenti amerikan Joe Biden premtoi vazhdimin e mbështetjes amerikane për ekonominë dhe sigurinë në Ukrainë. Duke folur në një forum biznesi amerikano-ukrainas në Dhomën Amerikane të Tregtisë së hënën, zoti Biden i bëri thirrje Ukrainës që të luftojë korrurpsionin dhe zhvillojë reforma për ta bërë vendin sa më tërheqës për investitorët e huaj. Në forum merrte pjesë edhe kryeministri i Ukrainës Arseniy Yatsenyuk.

Zoti Biden tha se zhvillimi ekonomik dhe politik i Ukrainës përbën po aq interes për Shtetet e Bashkuara sa edhe për Evropën lindore.

“Një Ukrainë e suksesshme do të jepte shembull se si do të dukej Evropa gjatë 15 dhe 20 viteve të ardhshme.”

Zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara po i japin Ukrainës 470 milionë dollarë ndihma dhe 2 miliardë dollarë hua për të përmirësuar ekonominë. Ai tha se nëse Ukraina vazhdon në drejtimin e reformave, Uashingtoni mund të japë një hua tjetër prej 1 miliard dollarësh nga fundi i vitit.

“Kjo ndihmë synon të rikthejë besimin tek ekonomia e Ukrainës, të përmirësojë sigurinë energjitike, të forcojë median e pavarur dhe përmirësojë llogaridhënien juridike, të luftojë korrupsionin, mbështesë zgjedhjet dhe të trajtojë nevojat humanitare.”

Zoti Biden kritikoi ashpër Rusinë për atë që e quajti përpjekje për të mposhtur Ukrainën usharakisht dhe ekonomikisht. Ai po ashtu akuzoi Moskën për shantazh ndaj Kievit përmes gazit natyror. Ai shtoi se Ukraina e ka ulur pavarësinë nga burimet e drejtpërdrejta ruse të gazit nga 65 përqind në 15 përqind.

“Kam biseduar me shumë udhëheqës të Evropës lindore për të bindur fqinjët e Ukrainës që të shtojnë furnizizmin me gaz drejt Ukrainës dhe këto përpjekje do të vazhddojnë me afrimin e dimrit.”

Kryeministri i Ukrainës Arseniy Yatsenyuk tha se investimet e huaja është çelës i rimëkembjes ekonomike.

“U kërkojmë kreditorëve tanë që të bashkëpunojnë. Kjo është mënyra për të mbështetur popullin ukrainas dhe rruga për ta bërë Ukrainën një histori të vërtetë suksesi.”

Shtetet e Bashkuara po ashtu po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të ndihmave ushtarake në Ukrainë për t’u mbrojtur nga agresioni rus.

XS
SM
MD
LG