Lidhje

NATO shton praninë ushtarake në Evropën Lindore


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, tha të mërkurën se Aleanca ka vendosur të marrë hapa të menjëhershëm për fuqizimin e pranisë ushtarake në Evropën Lindore, në përgjigje të veprimeve të Rusisë.

Ai tha se do të shtohet prania e NATO-s me avionë, anije dhe se forcat tokësore do të jenë në gjendje gadishmërie. Ai tha se avionët e NATO-s do të kontrollojnë qiejt e rajonit të Balltikut, ndërsa anijet do të vendoset në detin Balltik, në Mesdheun Lindor dhe gjetkë, sipas nevojës.

Administrata Obama mbështetet operacionet e Ukrainës

Administrata e Presidentit Obama ka sugjeruar se operacionet e Ukrainës kundër separatistëve pro – rusë janë të justifikuara, por se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke konsideruar dhënien e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Pa shprehur hapur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për vendimin e qeverisë ukrainase për të dërguar tanke dhe trupa, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë zotimin e Ukrainës se ajo do të veprojë me përgjegjësi dhe gradualisht kundër separatistëve të cilët kanë pushtuar ndërtesat qeveritare dhe objekte të tjera.

"Qeveria ukrainase ka një përgjegjësi për të siguruar rendin dhe ligjin, dhe këto provokime në Ukrainës lindore janë duke krijuar një situatë në të cilën qeveria është e detyruar të përgjigjet".

Qeveria e Ukrainës tha se ka dërguar forcat anti - terroriste për të rimarrë ndërtesat qeveritare që ditët e fundit janë pushtuar nga milicitë e armatosura pro - ruse.

Zëdhënësi Carney përsëriti paralajmërimet amerikane ndaj Rusisë për tërheqjen e trupave të saj nga kufiri i saj me Ukrainën dhe të angazhohet në dialog me qeverinë e Ukrainës.

Ai e quajti situatën të rrezikshme dhe të paqëndrueshme, dhe përgëzoi Ukrainën për siç tha ai një përgjigje të "kujdesshme".

Zyrtari amerikan tha se Presidenti Obama po konsideron zgjerimin e sanksioneve, veçanërisht nëse Rusia vendos të dërgojë trupa në Ukrainë.

Zëdhënësi Carney tha se administrata e Shteteve të Bashkuara në këtë kohë nuk po konsideron dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë. Ai tha se fokusi mbetet në përpjekjet diplomatike për të ndalur Rusinë nga mbështetja për lëvizjet separatiste në Ukrainë.

Përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë nesër në Gjenevë, ku zyrtarët amerikanë, rusë, ukrainas dhe ata të Bashkimit Evropian do të takohen për të diskutuar mbi mënyrat për uljen e tensioneve. Zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar intensifikimin e sanksioneve nëse në këtë takim nuk arrihet një marrëveshje me Rusinë. Zëvendëspresidenti Joe Biden niset për në Kiev javën e ardhshme për të siguruar mbështetjen amerikane për qeverinë e Ukrainës.
XS
SM
MD
LG