Lidhje

Veteranët në udhëkryq


Një projekt i ri për xhirimin e një filmi po ndihmon ushtarët amerikanë të tejkalojnë çrregullimet e stresit post-traumatik, i quajtur PTSD, një gjendje mendore e shkaktuar nga dhuna në luftë. Me afrimin e Ditës së Veteranëve, korrespondenti i Zërit të Amerikës Bernard Shusman njofton nga Nju Jorku se si projekti mundëson që ushtarët të ndajnë eksperiencat e tyre me miqtë, familjen dhe ushtarë të tjerë.

Tre miq vendosin se çfarë duhet të bëjnë me jetën e tyre pas shkollës së mesme. Vendimi: t’i bashkohen Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

Lufta në Afganistan shkaktoi pasoja tek këta ushtarë, të cilët po vuajnë traumë psikologjike. Ky film realizohet dhe aktrohet nga vetë ushtarët.

Proçesi i realizimit të filmit është një pjesë kyçe e programit të trajtimit të stresit post-traumatik, të titulluar “Unë isha atje”. Ideator ishte Ben Patton, nipi i njërit prej gjeneralëve më të njohur amerikanë të Luftës së Dytë Botërore, George Patton.

Një psikolog dhe regjizor filmash, zoti Patton udhëtoi nëpër bazat ushtarake duke kaluar katër ditë në secilën prej tyre për të ndihmuar ushtarët të tregojnë historitë e tyre dhe të shprehin ndjenjat në film.

Fillimisht ata nuk janë të gatshëm për t’u angazhuar dhe janë në një gjendje mendore ku nuk duan të ndajnë gjëra me të tjerët, as me familjen dhe bashkëlufëtarët. Nga fundi i seancës, ata kanë prodhuar së bashku me dy ose tre veteranë të tjerë, filma të shkurtër me temën që e kanë përcaktuar ata vetë. Sidoqoftë, 95% e rasteve lidhen me stresin që kanë kaluar gjatë shërbimit të tyre ushtarak.”

Rreth 300 filma janë realizuar nga ushtarë që kanë marrë pjesë në program. Zoti Patton thotë se sondazhet e kryera në javët pas programit tregojnë 20% rënie të simptomave të stresit post-traumatik.

Doktor Rivka Tuval është këshilltar i programit “Patton”.

“Vetëm të dëgjohesh pa u gjykuar dhe pa t’u imponuar zgjidhje e menjëhershme, është vërtet efikase për të krijuar një vetëvlerësim dhe vetëbesim më të lartë.”

Ushtarët përshkruajnë eksperiencën e tyre me programin.

“Ditën e parë dikush si unë nuk ndjehet aspak rehat, pasi nuk dihet si do shkojnë gjërat. Nga dita e katërt vij me buzëqeshje dhe me një ndjesi qëllimi në jetë.”

Rreshteri i klasit të parë Garry Sands shkruajti skenarin dhe aktroi në filmin “Ngrihen udhëkryqe”.

E hapa veten ndaj kësaj eksperience dhe madje e vazhdova më tej, me qëllimin për të parë si do të shkojë dhe nëse mund të bënim diçka më shumë. Ishte me të vërtetë mbresëlënëse.”

Pjesëmarrësit si Gary dhe bashkëshortja e tij Claudia, inkurajohen që të ndajnë eksperiencën e tyre në film me familjen dhe miqtë. Zoti Patton thotë se ky ushtrim bashkëpunimi dhe vetëshprehie po i ndihmon veteranët dhe familjet e tyre të tejkalojnë problemet e krijuara nga stresi post-traumatik.

XS
SM
MD
LG