Lidhje

USAID mbështet kreditimin e bujqësisë shqiptare


“Ka sfida të natyrës strukturore, sepse ngastrat e vogla të tokës vështirësojnë zhvillimin e ekonomisë bujqësore" - tha ambasador Arvizu.

Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, nënshkroi sot me dy banka shqiptare marrëveshjen për garancinë e kredive në bujqësi me një fond prej 15 milionë dollarësh. Banka Kombëtare Tregtare BKT dhe Banka Procredit u angazhuan të japin më shumë kredi për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, duke u garantuar nga fondi i USAID-it, për të përmirësuar jetesën dhe punën në fshatin shqiptar

Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, tha në ceremoni që ndonëse ky është një program i ri, ndihma amerikane në bujqësinë shqiptare kanë qenë e pranishme qysh nga viti 1992. “Qëllimi i bashkëpunimit tonë - tha ambasadori Arvizu - është zvogëlimi i kostove dhe pengesave për fermerët dhe agro-përpunuesit, në mënyrë që të kenë më shumë mundësi për financime dhe kredi, duke ndarë riskun me ta për një protofol kredie prej 15 milionë dollarë gjatë viteve të ardhshëm”.



Ky fond u sigurua nga Autoriteti i Kredisë për Zhvillim i SHBA dhe përmes USAID dhe dy bankave, ato u janë kushtuar fermerëve dhe ndërmarrjeve bujqësore të vogla e të mesme, duke mbuluar riskun e tyre. Ambasadori Arvizu tha se Shqipëria e ka rritur cilësinë e prodhimeve të saj bujqësore, por fermerëve u mbeten ende përpara disa sfida të mëdha.

“Ka sfida të natyrës strukturore, sepse ngastrat e vogla të tokës vështirësojnë zhvillimin e ekonomisë bujqësore në shkallë të lartë. Ka sfida teknike, sepse shqiptarët nuk kanë informacion mbi tregjet dhe mbi marketingun, që të vendosin më mirë për fatin e prodhimit të ardhshëm. Ndërsa sfida e fundit është nevoja dhe mundësia për kreditim më të madh. Ka shumë fermerë dhe biznese që mund të rriten dhe të shtojnë punësimin po të kishin kapitalin për t’u zgjeruar. Ne dëshirojmë të jepen sa më shumë kredi dhe me interesa sa më të ulëta. Por fatkeqësisht kredidhënia për fermerët shihet si e rrezikshme, ndërsa mungesa e efikasitetit të gjykatave e bën të vështirë mbledhjen e borxheve nga huadhënësit” - tha ambasadori Arvizu. Sipas tij, reformat në drejtësi duhet të bëjnë që gjykatat të krijojnë një mjedis biznesi më të mirë, më të barabartë dhe të parashikueshëm.

Kopshti i ambasadës amerikane ku u nënshkruan marrëveshjet ishte mbushur plot arka me prodhime bujqësore shqiptare që tregtohen brenda dhe jashtë Shqipërisë nga fermat shqiptare, që mbështeten nga USAID. Për këtë marrëveshje me USAID-in bankat Procredit dhe BKT janë përzgjedhur për shkak të angazhimit për të dhënë kredi në bujqësi.

Ndonëse vlerësohet si një industri me mundësi të mëdha fitimi, bujqësia shqiptare ka ende vështirësi të mëdha nga pikëpamja e kreditimit bankar. Zonat fshatare kanë prapambetje teknologjike, rinia ka emigruar dhe tokat janë copëtuar dhe mbushur me shtëpi banimi. Megjithatë bujqësia punëson rreth 40 për qind të fuqisë punëtore të vendit, dhe ndikon ndikon ndjeshëm në reduktimin e deficitit tregtar. Aktualisht bujqësia po punëson edhe shqiptarët që po kthehen nga emigrimiprej krizës ekonomike, më së shumti nga Greqia, të cilët sipas disa të dhënave janë deri rreth 170 mijë vetë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG