Lidhje

Programet amerikane pro-demokracisë


Zyrtarë rusë thonë se kanë urdhëruar Agjencinë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar të mbyllë operacionet e saj në vend, për shkak se programet amerikane pro-demokracisë kanë ndërhyrë në zgjedhjet e saj. Edhe pse Rusia nuk është vendi i vetëm që ngre pretendime të tilla, zyrtarët amerikanë thonë se ndihma e huaj nuk është përdorur për të mbështetur grupe politike opozitare, por për të rritur pjesëmarrjen demokratike dhe për të zgjidhur në mënyrë paqësore mosmarrveshjet dhe ankesat.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, udhëheqësit e Rusisë i kërkuan Shteteve të Bashkuara ndihmë për ndërtimin e një demokracie dhe të një ekonomie tregu.
Gjatë 20 viteve të fundit, grupe monitorimi të zgjedhjeve, organizata të të drejtave të njeriut, si dhe nisma anti-korrupsion janë financuar pjesërisht nga USAID, që në Rusi ka dhënë më shumë se 2,6 miliardë dollarë.

Presidenti Vladimir Putin tashmë i ka mbyllur programet e USAID-it, me arsyetimin se ka shqetësime për ndërhyrje të tyre në zgjedhje, duke ndihmuar grupet e opozitës.
Por David Sutter, një analist i politikës së jashtme në Institutin Hudson, thotë se programet e USAID-it nuk zgjedhin palë politike. Këto programe, thotë ai, përpiqen të ndihmojnë grupe pa mbështetje në proceset politike të përdorin mjete ligjore, paqësore dhe demokratike për të arritur që zëri i tyre të dëgjohet.

"Ekzistenca e këtyre grupeve u jep njerëzve, në njërën anë, njohuri se si të mbrojnë të drejtat e tyre, dhe, në anën tjetër, bindjen se mbrojtja e të drejtave e tyre është e mundur."

Disa muaj më parë, udhëheqësit ushtarakë të Egjiptit, që mbikëqyrnin tranzicionin drejt një qeverie të zgjedhur, u përpoqën të ndiqnin penalisht grupe pro-demokracisë dhe të drejtave të njeriut të financuara nga SHBA-ja. Ata hoqën dorë pas javësh trysnie diplomatike të ushtruar nga Shtetet e Bashkuara.

James Goldgeier, dekan i Fakultetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Amerikan, thotë se kritikët më të zëshëm të programeve pro-demokracisë së Shteteve të Bashkuara janë shpesh udhëheqës të elitës, që përpiqen të mbajnë pushtetin përballë grupeve opozitare me popullaritet në rritje.

"Nëse je një udhëheqës autoritar dhe përballesh me një grup që nxit shoqërinë civile, është e natyrshme të shqetësohesh se financimi i tij mund të ndihmojë njerëzit të cilët duan që sunduesi të mos jetë më në fuqi."

Presidenti i Venezuelës Hugo Chavez ka qenë gjithashtu kritik ndaj nismave amerikane pro-demokracisë, duke thënë se ato synojnë të dëmtojnë politikat e tij socialiste. Zoti Goldgeier thotë se padyshim Shtetet e Bashkuara promovojnë një ideologji të ndryshme.

"Shtetet e Bashkuara në përgjithësi mbështesin demokracinë, ekonominë e tregut, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pra, nëse ato gjëra janë në kundërshtim me atë që një qeveri kërkon të realizojë do të kemi një konflikt."

Profesor Goldgeier thotë se SHBA-ja nuk përkrah palë të veçanta politike, por mbështet ndërtimin e një kornize të demokracisë që ruan qeverisjen nga shumica dhe të drejtat e pakicave.
XS
SM
MD
LG