Lidhje

SHBA: teknologji e lartë për mbrojtjen


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel bëri të njohura disa përpjekje të reja që do të përqëndrohen tek ruajtja dhe rritja e superioritetit të ushtrisë amerikane.

Nisma e re për teknologjinë e lartë në fushën e mbrojtjes, është një nxitje për zbulime të reja, nga robotika tek përpunimi i një baze të gjerë të dhënash dhe madje edhe printimi tredimensional.

Sekretari Hagel foli për nismën tek Forumi Kombëtar Regan i Mbrojtjes, ku ai paralajmëroi se avantazhi teknologjik i Pentagonit po zvogëlohet:

“Dhe ndërsa ne kalojmë më tepër se një dekadë duke u përqëndruar tek operacionet e pafund të sigurisë, vende si Rusia dhe Kina kanë investuar së tepërmi tek programet e modernizimit të ushtrisë duke ngushtuar avantazhet e teknologjisë së ushtrisë sonë. "

Zoti Hagel tha se do të jetë tepër e rëndësishme të ndryshojë menaxhimi i financave të ushtrisë. Ai i bëri thirrje Kongresit të miratojë buxhetin tërësor për ushtrinë, në vend të masave për financime të përkohëshme. Zoti Hagel paralajmëroi se shkurtimet automatike të shpenzimeve buxhetore mund t’i shkaktojnë ushtrisë një humje buxhetore prej një trilion dollarësh gjatë dekadës së ardhëshme. Ai po ashtu paralajmëroi për një mungesë buxxhetore prej më tepër se 70 miliardë dollarësh gjatë 5 vjetëve të ardhshëm, në se Kongresi vazhdon të bllokojë propozimet e Pentagonit për kursime, që përfshijnë heqjen nga përdorimi të avionëve të vjetër dhe mbylljen e disa bazave ushtarake:

“Sot, Deparatmenti i Mbrotjes ka kapacitete të tepërta prej 24 për qind në bazat dhe objektet tona, gjë që kushton miliarda dollarë në vit, ndërkohë që këto fonde mund të ishin investuar në ruajtjen avantazhit teknologjik të ushtrisë sonë ”, - tha zoti Hagel.

Por Anthony Cordesman, analist për mbrojtjen në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se Departamenti i Mbrojtjes duhet të fajësojë veten për këtë gjendje.

Ai thotë se Pentagoni nuk ka patur programe të efektshme dhe ka shpenzuar me tepricë:

“Pentagoni nuk ka një program të qartë. Nuk ka një plan të qartë për të ardhmen, prandaj, Kongresi vërtet që ka kërkuar shpesh shkurtime arbitrare, por në të njëjtën kohë, Pentagoni duhet të marrë përgjegjësinë e vet dhe këtë ende nuk e ka bërë."

Në kuadrin e nismës, zoti Hagel ka krijuar një komision për propozimin e ideve të reja mbi mënyrat e planifikimit dhe financimit të Pentagonit, për të ruajtur avantazhet teknologjike ushtrisë.

XS
SM
MD
LG