Lidhje

A mund ta ushqejmë botën?


This 1971 photo provided by The World Food Prize Foundation shows Dr. Daniel Hillel introducing drip irrigation in Japan. Hillel, who is credited with developing drip irrigation methods that conserve water while allowing food to be grown in some of the w

This 1971 photo provided by The World Food Prize Foundation shows Dr. Daniel Hillel introducing drip irrigation in Japan. Hillel, who is credited with developing drip irrigation methods that conserve water while allowing food to be grown in some of the w

Disa dekada pas Revolucionit të Gjelbër, që u zhvillua në shumë pjesë të botës, mungesa e ushqimit, çmimet e larta, uria dhe varfëria janë ende probleme të mëdha. Është vlerësuar se rreth një miliard njerëz vujanë nga uria në mënyrë të vazhdueshme. Tani, një libër i ri shtron pyetjen: A mund ta ushqejmë botën?

Sir Gordon Conway është autor i librit “Një miliard të uritur” (One Billion Hungry). Ai thotë se përgjigjja e pyetjes A mund ta ushqejmë botën? është një “po” e kushtëzuar.

“Mund ta ushqejmë botën në qoftë se ne i përqëndrojmë përpjekjet tona. Nëse sigurojmë ndihma dhe investime të mjaftueshme. Nëse shfrytëzojmë teknologjitë e reja. Nëse krijojmë tregje të ndershme dhe efikase. Nëse me të vërtetë shfrytëzojmë fuqinë e grave si fermere, si nëna, dhe si kujdestare të të ushqyerit, si dhe në qoftë se trajtojmë problemin e ndryshimit të klimës.”

Zoti Conway e përshkruan urinë si situatën në të cilën mungon ushqimi i mjaftueshëm me cilësitë e duhura ushqyese që ndihmon në arritjen e një jete aktive. Megjithatë, ai shton:

“Kjo natyrisht ndryshon nëse kemi të bëjmë me një burrë apo me një grua, me të vjetër apo të rinj. Mendoj se uria më e keqe është kequshqyerja e fëmijëve. Ekzistojnë rreth 170 deri në 180 milionë fëmijë në botë, nën moshën pesë vjeçe, të cilët janë të pazhvilluar. Me fjalë të tjera, ata janë më të vegjël fizikisht se sa duhet të ishin për moshën e tyre. Dhe kjo ndodh për shkak se ata nuk marrin elementë të mjaftueshëm ushqyes. Ata nuk marrin sasi të mjaftueshme të vitaminës A. Nuk marrin zink të mjaftueshëm. Nuk marrin mjaft hekur.”

Gjatë Revolucionit të Gjelbër kërkimet dhe teknologjia bujqësore pësuan rritje, një pjesë e madhe e të cilës ndodhi në vitet 1960. Zhvillimi i kulturave me rendiment të lartë, teknikat bujqësore moderne, plehrat kimike dhe farat hibride konsiderohen të kenë ndihmuar në shpëtimin e jetëve të mbi një miliard njerëzve.

“Ishte një sukses sepse bëri të mundur që prodhimi i ushqimit të përballonte ritmet e shtimit të popullsisë. Kjo ishte veçanërisht diçka e suksesshme në Indi, si dhe në Azinë Jugore në përgjithësi. Duhet patur parasysh se në kohën e Revolucionit të Gjelbër India ishte tepër e varur prej dërgesave të grurit nga Shtetet e Bashkuara. Ata donin të ishin të pavarur. Pra, ata donin të ishin në gjendje të prodhonin rezervat e tyre të grurit dhe kjo është ajo që Revolucioni i Gjelbër u solli.”

Por ai thotë se ky proces pati disa kufizime.

“U përqendrua vetëm tek tokat më të mira në Indi. Ishte tepër e varur nga pesticidet dhe plehrat kimike. Gjithashtu, vetëm disa prej të varfërve arritën të përfitonini vërtetë. Kishte shumë njerëz të varfër që nuk u përfshinë, madje edhe në Indi dhe në pjesë të tjera të Azisë Jugore. Dhe sigurisht, Revolucioni i Gjelbër la jashtë Afrikën. Pra, përmbante kufizime të mëdha.”

Zoti Conway bën thirrje për një Revolucion të ri Dyfish të Gjelbër. Një revolucion që prodhon po aq ushqim, por që hedh edhe disa hapa të mëtejshme.

“Duhet të sigurohemi që prodhimet t’u shkojnë të varfërve dhe sidomos që të mos ketë efekt negativ mbi mjedisin. Pra, është një proces i gjelbër në dy mënyra. Në rradhë të parë do të ishte i gjelbër sepse do të kemi fushat e gjelbra të grurit dhe orizit, së dyti, do të ishte i gjelbër sepse mbron mjedisin.”

Gjatë Revolucionit të Gjelbër, mjedisi shpesh kishte rëndësi dytësore krahasuar me prodhimin. Zoti Conway thotë se ka "katër rrugë" që duhet të ndiqen për të garantuar sigurinë ushqimore: novacioni, tregjet, përqëndrimi tek njerëzit dhe udhëheqja politike. Profesori i Kolegjit Imperial të Londrës thotë se suksesi varet edhe nga zbutja e efekteve të ndryshimeve klimatike si dhe nga përshtatja ndaj tyre.

Siguria e ushqimit në nivel familjesh, vendesh dhe në shkallë globale bëhet edhe më e rëndësishme ndërsa popullsia e botës rritet. OKB-ja vlerëson se popullsia e planetit do të rritet në më shumë se 9 miliardë njerëz, deri në vitin 2050. Pra, sipas parashikimit, bota do të ketë rreth dy miliardë më shumë banorë se sa tani.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG