Lidhje

Planet e ushtrisë amerikane për Sirinë


Destrojerët dhe mjetet e tjera ushtarake janë pozicionuar për të sulmuar Sirinë

Destrojerët dhe mjetet e tjera ushtarake amerikane janë tashmë të pozicionuara për të sulmuar Sirinë ndërkohë që udhëheqësit ushtarakë të Shteteve të Bashkuara kanë përgatitur planet e veprimit në qoftë se jepet urdhëri për një sulm ushtarak. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Pentagon, Luis Ramirez, zyrtarët po shqyrtojnë skenarët që mund të ndiqen pas sulmit të parë.


Shtetet e Bashkuara synojnë dobësimin e mbrojtjes së Sirisë deri në atë masë saqë kjo të çojë më në fund në një largim me negociata të Bashar al-Asadit.

Shefi i Shtabit të Përgjithëm të ushtrisë amerikane, Gjenerali Martin Dempsey, u tha senatorëve se sulmet proporcionale dhe të kufizuara do të ishin hapi i parë që do të ndërmerrej nën drejtimin e tij.


"Për të parandaluar ose për të ndryshuar llogaritë e regjimit rreth përdorimit të armëve kimike, ne duhet të dobësojmë aftësinë e tij për t’i përdorur ato," tha gjenerali.

Për ta realizuar këtë, Shtetet e Bashkuara kanë në gatishmëri raketat Tomahawk që mund të godasin objektivat e qeverisë siriane. Katër destrojerët e dislokuar në Mesdheun lindor janë të pajisur me rreth 40 raketa Tomahawk secili.

Shtetet e Bashkuara kanë dyfishuar numrin e anijeve ushtarake në rajon.


Është mobilizuar edhe anija amfibe U.S.S. San Antonio.


Aeroplanmbajtësja Nimitz, e cila ndodhet në Detin e Kuq është gjithashtu gati për veprim.

Tani për tani, administrata ka përjashtuar ndërmarrjen e një operacioni të gjerë ushtarak. Por analistët thonë se në momentin kur Shtetet e Bashkuara të hedhin raketën e parë, Uashingtoni bëhet pjesëmarrës në luftën civile në Siri, dhe do ta ketë të vështirë të mbajë premtimin për të qëndruar jashtë konfliktit.

Benjamin Friedman është analist në Institutin Cato.


“Tani ne e mohojmë se duam përmbysjen e regjimit, por fakti është se kur bombardon objektivat e qeverisë në Siri, dhe atje ka rebelë të cilët përpiqen të përmbysin qeverinë, pavarësisht nëse thuhet apo jo, kjo është një përpjekje për të përmbysur qeverinë”.

Sekretari i Shtetit John Kerry u tha senatorëve se nëse armët kimike të Sirisë bien në duart e militantëve ose nëse Siria përfshihet nga një kaos i plotë, ai do të dëshironte që Presidenti të ketë mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në terren, por shtoi se kjo ishte thjesht një deklaratë hipotetike.


Një sulm ushtarak mund të zgjasë disa orë ose disa ditë, por planifikuesit në Pentagon janë të përgatitur edhe për skenarë më të gjërë.

Forcat amerikane nuk presin një reagim serioz nga ushtria relativisht e dobët e Sirisë. Ata do të vëzhgojnë me vëmendje një hakmarrje të mundshme nga Hezbollahu, që mbeshtetet nga Irani, dhe grupe të tjera militante të cilat mund të ndërmarrin sulme kundër Izraelit dhe aleatëve të tjerë të Shteteteve të Bashkuara në rajon.

XS
SM
MD
LG