Lidhje

Ushtria e Pakistanit përpiqet të rehabilitojë ish-militantët


Ushtria e Pakistanit përpiqet të rehabilitojë ish-militantët

Ushtria e Pakistanit përpiqet të rehabilitojë ish-militantët

Në veriperëndimin e trazuar të Pakistanit, ushtria vazhdon të përballet me grupe militante, të cilat i shmangen betejave gjatë ofensivave të ushtrisë por pas largimit të ushtrisë kthehen për të frikësuar popullsinë lokale. Ndërkohë që autoritetet vazhdojnë këtë luftë, ato gjithashtu po përpiqen të zbatojnë metoda të reja kundër kryengritësve në luginën veriperëndimore Suat, që sipas ushtrisë, më parë ka qenë burimi kryesor i mobilizimit të anëtarëve të rinj për forcat talebane. Korrespondenti Ayaz Gul njofton nga Islamabadi.

Kjo është një nga disa qendrat e drejtuara nga ushtria në luginën Suat, ku instruktorët po përpiqen t’i mësojnë ish luftëtarët e talibanëve të heqin dorë nga radikalizmi. Mësimi i sotëm tregon se si vrasja e njerëzve dhe sulmi kundër shtetit është në kundërshtim me mësimet e fesë islame.

Oficerët në këtë qendër të mbrojtur mirë, të quajtur Mishal, thonë se qindra të burgosur talebanë po mësohen të përdorin kompjuterin, po mësojnë profesionin e elektricistit dhe të hidraulikut. Oficerët shpresojnë që aftësitë e reja do t’i ndihmojnë të burgosurit të shmangin kthimin e tyre drejt radikalizmit.

Deri para dy vjetësh, ky rajon veriperëndimor i Pakistanit ishte nën kontrollin e ekstremistëve talebanë. Ata kishin vendosur rregulla të ashpëra të ligjit islamik dhe i ekzekutonin kundërshtarët.

Në Luginën Suat tani është vendosur paqja. Por paqja është arritur me një çmim të lartë financiar për qeverinë dhe ku banorët lokalë kanë bërë sakrifica të mëdha personale. Gjithsesi, shumica e banorëve janë të lumtur që ata kanë sakrifikuar, sepse jeta ishte e mjerueshme nën kontrollin e talebanëve.

Shtetet e Bashkuara dhe disa grupe brenda Pakistanit e shohin me skepticizëm angazhimin e ushtrisë kundër grupeve militante, veçanërisht pasi agjencitë e zbulimit të Pakistanit mendohet se ende po mbështesin disa grupe ekstremiste që luftojnë kundër Indisë, si dhe një grup që lufton kundër Shteteve të Bashkuara dhe afganëve, i quajtur rrjeti Hakani.

Por zyrtarët ushtarakë përmendin qendrës Mishal, si një dëshmi e angazhimit të ushtrisë pakistaneze kundër militantëve.

Saboon, që do të thotë “agimi”, është një qendër tjetër rehabilituese, e cila përkujdeset për djemtë e moshave 12 deri 17 vjeç, të cilët janë trajnuar nga talibanët për t’u bërë autorë sulmesh vetëvrasëse. Ai thotë:

“Këta djem të rinj kanë lënë studimet dhe për një kohë të gjatë janë keqtrajtuar në mënyra të ndryshme. Ata janë shfrytëzuar për punë dhe kanë qenë shërbëtorë të Talebanëve”.

15 vjeçari Abdul Nasir, të cilit me kërkesën e ushtrisë nuk po ja tregojmë fytyrën, thotë se ai kishte probleme me drogën pasi nëna e tij e dorëzoi te talebanët, me besimin se ata do ta ndihmonin djalin e saj të bënte një jetë normale. Ai thotë se Talebanët e kanë torturuar fizikisht atë si formë ndëshkimi dhe e kishin pyetur nëse donte të kryente sulme vetëvrasëse për t’i shpëtuar keqtrajtimeve. Ai e pranoi kërkesën e talebanëve por u arrestua para se të kryente misionin.

Trajnuesit shpresojnë se riintegrimi i këtyre djemve me familjet e tyre do t’i inkurajojë të tjerët t’u shmangen aktiviteteve ekstremiste.

Zyrtarët ushtarakë planifikojnë hapjen e qendrave të këtij lloji edhe në pjesë tjera të vendit ku grupet militante janë problem për komunitetin dhe shoqërinë. Maleeha Lodhi, ish-ambasadorja pakistaneze në Uashington, thotë se është e rëndësishme të fitohet besimi i komuniteteve lokale. Ajo thotë:

“Mendoj se programi për rehabilitimin e militantëve në Suat është një provë e rëndësishme se si Pakistani mund të përdorë metoda jo ushtarake për të krijuar kushtet për parandalimin e rikthimit të ekstremizmit në rajonet ku nuk ka më talebanë”.

Por kritikët shprehin dyshime në se këto programe do të mund t’i tejkalojnë ndikimet e mijëra medreseve islamike në mbarë Pakistanin, ku kryesisht fëmijë të familjeve të varfëra marrin vetëm arsimim fetar.

Shumë analistë besojnë se medresetë ushqejnë ekstremizmin, por klerikët e fesë islame i kanë rezistuar për një kohë të gjatë reformave të qeverisë.

XS
SM
MD
LG