Lidhje

Ushtria egjiptiane po përforcon pozicionet në rrugët e Kajros dhe të qyteteve të tjera


Ushtria egjiptiane po përforcon pozicionet në rrugët e Kajros dhe të qyteteve të tjera
Ushtria egjiptiane po përforcon pozicionet në rrugët e Kajros dhe të qyteteve të tjera

Ushtria egjiptiane po përforcon pozicionet në rrugët e Kajros dhe të qyteteve të tjera, ndërsa vazhdojnë protestat antiqeveritare. Mijëra njerëz morën pjesë në demonstratat e djeshme, duke bërë thirrje për dorëheqjen e Presidentit Hosni Mubarak. Ndërkohë, qytetarët po armatosen për të mbrojtur veten, familjet dhe pronat e tyre nga plaçkitjet.

Ushtria egjiptiane po dislokon mjete të reja në qiellin e Kajros. Avionët luftarakë dhe helikopterët po qarkullojnë përmbi protestuesit e ndodhur në rrugë në një demonstrim të forcës që duket se deri tani ka zvogëluar madhësinë e protestave.

Në qendrën e kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera, ushtria po përforcon pozicionet me më shumë tanke dhe postblloqe betoni. Përgjatë tyre, protestuesit ndalojnë për të kryer lutjet e fundit të ditës para se t’u kthehen sërish demonstratave.

Shumë protestues vazhdojnë të sfidojnë ndalim-qarkullimin e orës 4 të pasdites, duke mos pranuar të heqin dorë nga protestat deri sa të largohet Presidenti Mubarak.

“Nuk e duam! Nuk e duam! Jemi ngopur me të!”

“Sot e ka ditën e fundit.”

“Nëse nuk largohet, do ta vrasim!”

Për ata që nuk ndodhen në rrugë duke protestuar, nata ndjell frikë nëpër lagjet periferike të Kajros. Ndërsa policia nuk duket asgjëkundi, grupe të armatosura me shkopinj, thika e madje edhe armë zjarri po bëjnë roje për t’u mbrojtur nga plaçkitësit.

Është njoftuar se janë plaçkitur disa shtëpi të shtrenjta dhe banorët janë sulmuar e madje edhe vrarë. Shumë banorë thonë se kanë parë policë që s’ishin në uniformë tek drejtonin plaçkitësit. Njerëzit ndihen të çliruar kur nis dita.

“Plaçkitja është problem i madh, është turp, sepse egjiptianët nuk janë të këtillë. Shumica e njerëzve duan ndryshime, por ka disa që po shkatërrojnë gjërat e nuk shqetësohen për asgjë”.

Ky është pronari i një dyqani të telefonave celularë që u plaçkit gjatë natës.

“Ai thotë se “u zhvillua një protestë e madhe në Sheshin e Lirisë në qendër të qytetit. Por njerëzit që protestuan nuk janë të njejtët me ata që po kryejnë plaçkitjet”.

Emërimi nga Hosni Mubaraku i një nënpresidenti dhe kabineti të ri nuk ka paqësuar ata që duan që vetë presidenti të largohet.

Analisti politik Said Sadek është autor i njohur i një blogu. Por si shumë egjiptianëve të tjerë, shërbimi i Internetit është ndërprerë nga qeveria. Ai thotë se nuk beson që presidenti mund ta mbajë postin.

“I kam parë rrugët e Egjiptit; asnjëherë s’kam parë më shumë mllef nga shtresa e lartë, shtresa e mesme, shtresa e ulët, apo kushdo qoftë. I gjithë vendi është ngritur kundër Mubarakut. Presidenti Mubarak ishte hero lufte. Duhet të bëhet hero sërish, të shpëtojë vendin dhe të japë dorëheqje tani”.

Zoti Sadek thotë se Egjiptit i duhet një qeveri kalimtare për të udhëhequr vendin drejt zgjedhjeve plotësisht demokratike. Dëshira e tij jehon në rrugët e qyteteve në mbarë Egjiptin. Protestuesit duan ndryshimin e regjimit. Shumica e egjiptianëve vetëm duan që të jenë të sigurt në shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG