Lidhje

Ushtrimet fizike nëpërmjet internetit


Nuk ka më justifikime për t’iu shmangur fiskulturës, pavarësisht orës, ose vendit ku ndodheni. Kompanitë e ushtrimeve fizike po ofrojnë çdo lloj klase në internet, kurdo që e dëshironi.

FitnessGlo është një lloj i ri biznesi. Është një kompani e re ushtrimesh fizike që ofron video, të cilat ndihmojnë njerëzit me kohë të kufizuar. Ata mund t’i ndjekin videot në shtëpitë e tyre, dhomat e hoteleve, ose zyrat.

Faqja e internetit lidh këdo që është në kërkim të një programi në palestër me instruktorë me përvojë të cilët i ndihmojnë për t’i bërë ato pjesë të një komuniteti në internet. Shpesh janë gratë e zëna me punë të cilat dëshirojnë një alternativë, kur nuk kanë mundësi të shkojnë në palestër.

Jennifer Preston pëlqen të shkojë në palestër, por jo gjithmonë ka mundësi. Ajo thotë se programet në internet janë të shumëllojshme dhe ofrojnë alternativa të mira.

“Është me të vërtetë e mrekullueshme sepse unë punoj dhe shkoj në shkollë njëkohësisht, kështu që kam shumë pak kohë të lirë. Unë mund të vizitoj faqen e FitnessGlo, të ndjek një video qoftë edhe për 10 minuta, të bëj pak ushtrime në mënyrë që të kem më shumë energji gjatë ditës”, thotë ajo.

Në studiot e FitnessGlo-së këtu në Kaliforni janë prodhuar më shumë se 600 video për t’u vendosur në internet. Për çdo nivel dhe ushtrim ka një kurs interneti.

Ndërsa vende të tjera përqëndrohen tek numri i kalorive dhe pesha, kompania thotë se FitnessGlo është e përkushtuar për t’u ofruar njerëzve një përvojë më të mirë në palestër, gjë që i ndihmon ata të ndjehen mirë. Trajnerja Lacey Stone beson se kjo është një alternativë shumë e mirë në mungesë të mundësisë për të shkuar fizikisht në palestër.

“Ka blogje dhe komunitete virtuale në Facebook dhe InstaChat, dhe është tamam sikur po bashkëveproni me trajnerët e videove. Mund të bisedoni me ta nëpërmjet internetit, dhe duket sikur ata janë kudo ku jeni. Kështu që unë mendoj se me përmirësimin e teknologjisë, kushedi, në të ardhmen mund të kemi edhe hologramë.”

Sipas shefes ekzekutive Callie Miller, krijimi i kompanisë ishte një ide e natyrshme.

“Njerëzit po bëhen çdo ditë edhe më të zënë, udhëtojnë më shumë, bëjnë disa punë të ndryshme, në shtëpi ose në zyrë. Kështu që, mundësia për ushtrime fizike kudo ku ata të ndodhen është diçka që ne e ofrojmë me shumë dëshirë.”

Videot janë rregjistruar në një klasë me një kamer të montuar në mur.
Pastaj ato montohen dhe prodhohen në vend. FitnessGlo ka instruktorë në dispozicion në internet për ata që kanë pyetje. Kurset kushtojnë 12 dollarë në muaj, dhe janë ndarë edhe në segmente të shkurtra për ata që nuk mund të angazhohen për një orë të tërë.
XS
SM
MD
LG