Lidhje

Libri i ri përshkruan sulmin ndaj USS Cole


Në libër, komandanti i anijes thotë se reagimi i Amerikës ishte shumë i dobët

11 muaj para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, persona vetvrasës të Al-Qaidës sulmuan një anije të forcave amerikane të marinës që ishte ankoruar në portin e Adenit në Jemen, duke vrarë 17 marinarë dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Në një libër të ri, komandanti i anijes thotë se përgjigja e Amerikës ndaj këtij sulmi ka qenë shumë e dobët megjithësi incidenti mund të shihej si një sinjal paralajmërues për sulmet e ardhshme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës

Më 12 tetor 2000, anija USS Cole, e drejtuar nga komandanti Kirk Lippold, ishte duke u furnizuar me karburant gjatë një ndalese rutinë në portin e Adenit.
Lippold thotë se në momentin kur sulmuesit vetvrasës goditën anijen ai ishte në

“Papritmas u dëgjua një shpërthim i fuqishëm i cili u ndje në krejt destrojerin 154 metra të gjatë dhe me peshë 8 mijë e 400 tonë që shumë shpejt u ngrit në ajër dhe u anua në të djathtë. Për një moment dukej sikur anija po qëndronte në ajër dhe pastaj ra në ujë ndërkohë që ikën dritat. Gjithçka në tavolinën time u ngrit në ajër dhe pastaj goditi dyshemenë fuqishëm”.

Lippold menjëherë njoftoi komandantët për këtë ngjarje të cilën e quajti sulm kundër forcave amerikane. Komandanti i cili tani është në pension ka shkruar një libër me titull, Al Qaida’s Attack on the USS Cole.

Libri publikohet në kohën kur i dyshuari për organizimin e sulmit, Abd al-Rahimi al-Nashiri, përballet me akuzat për vrasje dhe terrorizëm para një gjykate ushtarake në Guantanamo Bay. Zoti Lippold nuk mendon se procesi gjyqësor do të përfundojë shpejt.

“Mos prisni që komisioni ushtarak të lëvizë me shpejtësi në rastin e al-Nashirit. Mbrojtja ka dorëzuar mbi 100 kërkesa me shkrim dhe ata do ta shtyejnë procesin aq sa të munden”.

Libri përshkruan në hollësi dëmet që janë shkaktuar nga shpërthimi, përgjigjen heroike të ekuipazhit për të shpëtuar anijen nga mbytja, dhe gjetjen e trupave të marinarëve të vrarë. Zoti Lippold është kritik për faktin se Shtetet e Bashkuara nuk u përgjigjën ushtarakisht ndaj sulmit kundër USS Cole.

“Për mua mësimi kryesor që kemi marrë nga ky sulm si vend është se nuk mund të lejojmë vrasjen e amerikanëve jashtë vendit nga terroristët dhe të mos kundërpërgjigjemi. Kjo i dërgon sinjale vrasësve se ne jemi të dobët dhe nuk kemi vullnet për të mbrojtur njerëzit dhe interesat tona kombëtare”.

Gjatë një diskutimi mbi librin e tij në Fondacionin Heritage, zoti Lippold tha se dështimi i agjencive të zbulimit ka kontribuar në këtë tragjedi. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë dështuar ta identifikojnë sulmin ndaj anijes USS Cole si një shenjë paralajmërimi për sulmet terroriste që pasuan më pak se një vit më vonë.

“Njerëzit gjithmonë pyesin, nëse do të kishim reaguar ndaj sulmit kundër anijes USS Cole, a do të kishte shans që të zbulohej komploti i realizuar më 11 shtator 2001? Kurrë nuk do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi kësaj pyetje. Por unë mund t’ju garantoj se mungesa e veprimit ka vulosur fatin tonë”.

Bombardimi i anijes USS Cole në fund u hoq nga vëmendja e amerikanëve për shkak të sulmeve të 11 shtatorit 2001. Ndërkohë ish komandanti i anijes, Kirk Lippold shpreson se libri i tij do të nënvizojë një ngjarje kritike në luftën e Amerikës kundër Al-Qaidës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG