Lidhje

Dërgesa e ilaçeve me dron në Ruanda


Kur rrugët bllokohen nga fatkeqësitë natyrore apo trazirat politike, shpesh e vetmja rrugë për të dërguar furnizime mjekësore të domosdoshme për jetën dhe sende të tjera në zonat e largëta është nga ajri. Por, kjo gjë mund të kryhet sikurse edhe në fusha të tjera, përmes përdorimit të robotëve. Materiali në vazhdim na njeh me një projekt pilot në Ruanda që synon dërgimin e shpejtë të vaksinave atje ku nevojiten, përmes dronit.

Brenda pak muajsh në Ruanda, aeroplanë të vegjël me telekomandë do të transportojnë kuti me furnizime mjekësore të domosdoshme për jetën në klinika të largëta.

Dronët janë prodhuar nga kompania Zipline në Kaliforni dhe vaksinat janë nga GAVI Vaccine Alliance. Projekti mbështetet nga një grant i dhënë nga Fondacioni UPS, degë bamirëse e gjigandit global të dërgesave. Eduardo Martinez është presidenti i Fondacionit UPS.

“Një infrastrukturë efikase e shpërndarjes ndihmon për të shpëtuar jetë. Jemi angazhuar në mënyrë aktive me organizata në mbarë botën për dërgesat e ndihmave, kur dështojnë rrjetet ekzistuese të shpërndarjes”.

Dronët mbajnë pesha deri 1.5 kilogramë dhe udhëtojnë në distanca deri 120 kilomentra. Pasi ndjekin itenerarin e programuar dhe lëshojnë me parashutë ngarkesën, dronët kthehen vetë në bazë.

Projekti kërkon të lehtësojë dërgesat e ilaçeve në vende të largëta. Kur punonjësit e shëndetësisë kërkojnë rezerva gjaku apo paisje mjekësore, ekipet në pikat e dërgesave paketojnë artikujt në kuti të posaçme, i vënë në dron, skanojnë kodin që ka itenerarin dhe paketa niset për në destinacion. Kjo kushton shumë më pak se dërgesat me helikopter.

Përveç që ofron një shërbim jetik, projekti do t’u dërgojë kompanive Zipline dhe UPS, të dhëna rreth sigurisë dhe besueshmërisë së dergesave me dron. Ky mund të jetë një faktor i rëndësishëm në vendimin e Administratës Federale të Aviacionit, për të lejuar dronët të transportojnë dërgesa në Amerikë. Shefi i kompanisë Zipline, Keller Rinaudo jep më shumë detaje.

“Mendoj se mënyra më e mirë për të gjetur një zgjidhje bashkarisht me Administratën Federale të Aviacionit në mënyrë që ta sjellim këtë teknologji edhe në Shtetet e Bashkuara, është duke e vënë atë në provë në një vend ku përmbush një nevojë shumë të qartë, ku mund të regjistrojmë të dhëna nga dhjetëra mijëra orë fluturim. Këto të dhëna do t’ia çojmë Administratës së Aviacionit për ta përshpejtuar procesin e prezantimit të teknologjisë edhe në Amerikë”.

Duke punuar me qeverinë në Ruandë, ekspertët e kompanisë Zipline synojnë të realizojnë deri në 150 dërgesa në ditë. Ky lloj shërbimi pritet të fillojë të zbatohet në muajin gusht.

XS
SM
MD
LG