Lidhje

Tiranë: Protestë për mbrojtjen e lumit Valbona nga hidrocentralet


Disa organizata dhe dhjetëra veprimtarë të mjedisit protestuan sot para kryeministrisë, duke kërkuar të ndalohet ndërtimi i HEC-eve mbi lumin Valbonë, sepse me këto projekte, sipas tyre po dëmtohet rëndë një zonë e mbrojtur natyrore dhe turizmi në nivel kombëtar.

Lugina e Valbonës ka statusin e Parkut Kombëtar prej 1996 dhe pritej që të shndërrohej në zonën më të rëndësishme turistike në vend, si pjesë e një parku gjigant, që bashkon Alpet me Kosovën e Malin e Zi.

Por gjatë lumit Valbonë pritet tashmë të ndërtohen disa hidrocentrale.

Një zyrtar nga ministria e energjitikës pohoi se qeveria e mëparshme demokrate ka nënshkruar 3 kontrata koncensionare për ndërtim hidrocentralesh; leja e ndërtimit për të parin u dha në vitin 2012, leja e ndërtimit për të dytin u dha në vitin 2014, ndërsa kontrata e tretë ende nuk ka leje ndërtimi, por u firmos në gusht 2013 pasi nga zgjedhjet doli një qeveri e re.

Por edhe shumica e re socialiste miratoi njërën prej lejeve.

Lumi i Valbonës, 65 km i gjatë, është qendra e turizmit në këtë zonë, sidomos në 20 km e parë, por kjo pasuri natyrore mund të shkatërrohet në mënyrë të paprapsueshme, nëse atje ndërtohen një apo disa hidrocentrale, pohuan veprimtarët, të cilët protestuan para selisë së qeverisë me parrullat “Valbona është në zemrën tonë” dhe “Larg Duart nga Valbona”.

Kontratat konçesionare janë në fuqi të treja dhe, sipas ligjit, qeveria është e detyruar t'i respektojë ato, sepse në kohën kur këto leje u miratuan, kompanitë morën pëlqimin e autoriteteve mjedisore të asaj kohe.

Zyrtari pohoi se prishja e kontratave në mënyrë të njëanshme ka një kosto të rëndë për buxhetin dhe taksapaguesit, sepse subjektet do të kërkonin dëmshpërblime për studimin, ofertat dhe fitimin e munguar.

Pas këtyre tre kontratave, mbi lumin Valbona dhe përrenjtë e tij janë projektuar të ndërtohen edhe 9 hidrocentrale të tjerë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG