Lidhje

Misteret e brezit Van Allen

  • GEORGE PUTIC

Një ndër zbulimet e para të epokës së hapësirës i bërë në vitin 1958, ishte se Toka ishte e rrethuar nga një fushë në formë unaze, e përbërë nga grimca me ngarkesë të lartë elektromagnetike. Kjo fushë u pagëzua me emrin brezi Van Allen i radioaktivitetit. Për të nuk dihej shumë deri kur NASA lëshoi dy sonda në 2012. Shkencëtarët thonë se kanë marrë të dhëna interesante prej studimeve.

Moti në hapësirë mund të jetë po aq i paparashikueshëm sa edhe në Tokë. Shpërthime periodike në sipërfaqen e diellit krijojnë re të mëdha me protone dhe elektrone.

Disa prej tyre mbërrijnë deri në tokë, duke krijuar pamje mahnitëse të vallëzimit të dritës si Aurora Borealis.

Kur retë e përbëra nga grimca me ngarkesë elektromagnetike janë tejet të fuqishme, ato mund të krijojnë probleme në rrjetin elektrik, të bllokojnë sistemet e komunikimit apo të dëmtojnë pajisjet elektronike.

Por në shumicën e kohës ato bllokohen nga fusha magnetike e tokës në të ashtu-quajturin Brezi Van Allen i radioaktivitetit.

Megjithatë, ato gjithsesi shkaktojnë probleme, thotë shkencëtarja e NASA-s Mona Kessel.

"Kemi një numër satelitësh që lëvizin në atë zonë: satelitë për komunikim, për orientime në lëvizje, pra duhet të kuptojmë efektin që kanë këto re, pasi ato mund të shkaktojnë ndikime dramatike”.

Për të mësuar për motin në hapësirë, në vitin 2012 NASA lëshoi dy satelitë të prodhuar nga kompania Applied Physics Laboratory. Sondat Van Allen u dërguan për të studiuar misteret e brezit elektromagnetik. Fillimisht studiuesit prisnin të dhëna sasiore, thotë shkencëtari Barry Mauk:

“Nuk kisha shumë besim se do të zbulonim ndonjë gjë të panjohur. Por morëm të dhëna tepër interesante. Zbuluam struktura që nuk e kishim menduar se ekzistonin”.

Sondat Van Allen zbuluan se në vend të dy shtresave, brezi elektromagnetik shpesh herë shfaq një shtresë të tretë me grimca elektromagnetike. Sondat zbuluan se fushat elektromagnetike shërbejnë për të rritur ngarkesën e grimcave përbërëse.

Shkencëtari Mauk thotë se të dhënat nga dy sondat do të ndihmojnë studiuesit të zhvillojnë programe kompiuterike për të krijuar modele për parashikimin e motit në hapësirë:

“Nëse shoh aktivitet në sipërfaqen e diellit, si për shembull rrezatim të fuqishëm, mund të mas fushën magnetike të diellit dhe të parashikoj se si do të reagojë brezi i radioaktivitetit ndaj këtij aktiviteti”.

Si rezultat, shpjegon ai, NASA mund të këshillojë astronautët të ndalin ecjet në hapësirë, ose mund të modifikohet aktiviteti i satelitëve deri në momentin kur normalizohen kushtet.

"Ne duam gjithashtu ta kuptojmë këtë proces, pasi është një element dinamik i hapësirës, i mjedisit elektromagnetik që ndodhet përtej Tokës”.

Shkencëtarët thonë se duke kuptuar më mirë brezin elektromagnetik Van Allen, do të dinë si të veprojmë në përgatitje për suprizat e aktivitetit në sipërfaqen e diellit.

XS
SM
MD
LG