Lidhje

Konkursi i pianos Van Cliburn


Duke filluar që nga viti 1962, pianistë nga e gjithë bota marrin pjesë në konkursin Ndërkombëtar të Pianos, Van Cliburn. Këtë muaj, 30 persona të moshes 19 deri 30 vjeçare, u mblodhën në Fort Worth, të Teksasit, ku interpretuan para jurisë, ekspertë në botën e pianos, si dhe para publikut dhe mijëra vetëve që e ndoqën drejtpërdrejt përmes transmetimit direkt në internet. Pas disa recitalesh dhe interpretimesh me orkestrën e muzikës së dhomës, u zgjodhën 6 finalistë. Gail Wein e Zërit të Amerikës ishte në Koncertin final:

Të arrish në finalen e konkursit Cliburn duhet të kesh studjuar për vite me radhë, të kesh bërë praktikë për një kohë shumë të gjatë dhe të kesh nerva prej çeliku. Sean Chen, nga Kalifornia e Jugut, është një prej 6 finalistëve. Ai thotë se ka gjithë jetën që punon shumë me pianon.

“Në të kaluarën, kam marrë pjesë në shumë konkurse, që kur isha në shkollën Juilliard të muzikës. Fillova duke marrë pjesë në konkurse ndërkombëtare, kam dalë i pari, ose i dyti në disa gara.”

Chen shpjegon përse kjo garë në veçanti është kaq e rëndësishme.

“Konkursi i Cliburn-it më duket se ka ndikimin më të madh se çdo garë tjetër në këtë fushë….Përsa i përket medias sociale dhe transmetimit të konkursit, organizatorët bëjnë një punë shumë të mirë me transmetimin përmes internetit; ka një ekip kameramanësh nga Hollivudi që na ndjek kudo. Veç kësaj, finalistëve u jepen menaxherë dhe në katër vitet e ardhshme, të gjithë sigurojnë koncerte. Kjo është shumë e rëndësishme për artistët e rinj”.

Anëtarët e jurisë, po ashtu kanë një punë të vështirë. Secili prej pianistëve që ata dëgjojnë, që nga fillimi garës, janë shumë të mirë, kanë aftësi teknike të shkëlqyera dhe interpretojnë me nivel të lartë artistik. Të gjithë ata tingëllojnë në mënyrë spektakolare, edhe për një vesh të stërvitur mire; prandaj juria përpiqet të gjejë nuancat e interpretimit të muzikës prej tyre.

John Giordano, kryetari i jurisë ka qenë anëtar i jurisë që nga viti 1973.
Ai thotë se niveli i interpretimit në piano në konkurs është i jashtëzakonshëm.

“Nuk bëhet fjalë për gjykimin e aftësive teknike të interpretimit, kjo dihet. Nuk bëhet fjalë në se konkuruesit gabojnë një note, çështja është tek mënyra e interpretimit me ndjenjë, emocionet që ngjall interpretimi i tyre…”

Në përgjithësi, i gjithë konkursi përshkohet nga një presion shumë i lartë dhe një konkurrencë e fortë. Por pianistët e rinj, si Beatrice Rana, nga Italia, thonë se kjo ja vlen.

“Ky është një nga konkurset më të rëndësishme në botë dhe ai mund t’u sigurojë një karrierë të qëndrueshme finalistëve… Një vend i mirë në Cliburn mund të sigurojë një të ardhme të shkëlqyer për një konkurues, që aspiron të bëhet pianist koncertesh.”

Ky është konkursi i parë që kur personi emrin e të cilit mban, Van Cliburn, vdiq në shkurt nga kanceri në koskë. Cliburn u bë i njohur që kur fitoi çmimin e parë në një tjetër konkurs të famshëm për pianistët, Konkursin Tchaikovsky, në Moskë. Ai ishte personi i parë jo rus që e fitoi konkursin dhe kjo ishte një fitore jashtëzakonisht e rëndësishme gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Cliburn u prit me një paradë në Shtetet e Bashkuara për të nderuar fitoren e tij.
Pasi dëgjuan dhjetra recitale solo, në shoqërimin e veglave të muzikës së dhomës dhe të orkestrës simfonike Fort Worth, anëtarët e jurisë u mblodhën për të përcaktuar se cili nga 6 finalistët do të merrte çmimin e parë. Njerëzit në auditor prisnin me padurim shpalljen e fituesit.

"Medaljen e arit e fiton Vadym Kholodenko nga Ukraina".

Vadym Kholodenko i bashkohet fituesve të tjerë të çmimit Van Cliburn, të cilët radhiten mes artistëve kryesorë të koncerteve të muzikës klasike.
XS
SM
MD
LG