Lidhje

Parlamenti debatoi mbi varfërinë e fëmijëve


UNICEF i kërkoi Shqipërisë të ndalojë kalimin e varfërisë nga një brez në tjetrin

Opozita socialiste i kërkoi sot qeverisë të bëjë përpjekje më të mëdha kundër varfërisë së fëmijëve. Debati në parlament mori shkas nga ratifikimi i Konventës së Hagës “Për rivendosjen e detyrimit ushqimor ndaj fëmijëve dhe formave të tjera të mbështetjes për anëtarët e familjes së tyre”.

Deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu, tha se varfëria e familjeve shqiptare rëndon drejtpërdrejt tek jetesa e fëmijëve të tyre, që vuajnë pasojat e rënda. Deputetja e opozitës citoi të dhëna nga studime të agjencive ndërkombëtare dhe shqiptare, sipas të cilave, Shqipëria ka rreth 32 mijë fëmijë jetimë socialë e biologjikë, dhe ndihma për ta është minimale. Vetëm 400 prej tyre jetojnë në fjetina të mbipopulluara, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë asnjë mbrojtje sapo mbushin 14 vjeç; por edhe fëmijët e varfër që nuk janë jetimë punësohen që të mbajnë familjet, dhe largohen nga shkollat.

Ndërsa deputetët e koalicionit qeveritar folën mbi përpjekjet që po bëhen nga strukturat shtetërore për të zbutur varfërinë e fëmijëve në shkallë vendi. Deputeti Tritan Shehu tha se megjithë problemet që ekzistojnë, qeveria ka arritur të përmirësojë gjendjen në mënyrë të dukshme, krahasuar me pak vite më parë, kur vdekshmëria dhe distrofia foshnjore ishte e lartë. Zoti Shehu tha se struktura ushqimore e fëmijëve dhe familjeve ka ndryshuar shumë dhe studimet tregojnë që distrofia është zhdukur nga popullata.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, publikoi disa ditë më parë një raport për Shqipërinë, ku kërkoi që të ndërpritet transmetimi i varfërisë nga një brez në tjetrin. Qeveria duhet të ushqejë, mjekojë dhe të shkollojë fëmijët e varfër njëlloj si të tjerët, edhe pse ka lindur nga prindër të varfër - thekson studimi - dhe se reduktimi i varfërisë duhet të fillojë me fëmijët. Sipas tij, 23 për qind e familjeve me fëmijë deri në 18 vjeç jetojnë nën nivelin e varfërisë absolute, ndërsa 10 për qind e tyre jetojnë nën nivelin e varfërisë ekstreme, me vetëm 30-50 dollarë në muaj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG