Lidhje

Një ndër shtatë amerikanë, ende në varfëri

  • Carolyn Presutti

Zyra amerikane e Statistikave ka nxjerrë një raport gjithëpërfshirës për varfërinë dhe të ardhurat në Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë Kongresi po shqyrton mundësinë e shkurtimeve në ndihmat e ushqimeve dhe republikanët po bëjnë përpjekje për të bllokuar reformën e Presidentit Barack Obama për sistemin shëndetësor.

Barbie Izquierdo është një nënë që kujdeset e vetme për fëmijët e saj. Ajo ka jetuar gjithë jetën ose pranë ose në nivelin e varfërisë dhe fëmijët e saj kanë vuajtur pasojat.

“Ishte e vështirë t’i detyroje të flinin pa ngrënë aq sa donin, sepse doja të kurseja diçka për të nesërmen dhe shumë herë kjo do të thoshte të shkoja të flija pa ngrënë vetë, vetëm që ata të kishin diçka për të ngrënë”.

Izquierdo është një nga 46.5 milion njerëzit që jetojnë në apo nën nivelin e varfërisë, që do të thotë se ata që marrin të ardhura vjetore prej 23 mijë e 550 dollarësh për katër persona. Kjo do të thotë që një mes shtatë amerikanëve është i varfër. Këto statistika për vitin 2012 nuk tregojnë ndonjë ndryshim të madh nga viti i mëparshëm. Studiuesit e statistikave thonë se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të rimëkëmben nga viti 2007, viti para se të fillonte recesioni global.

Michael Tanner është ekspert në Institutin konservator CATO. Ai thotë se kjo tregon mungesën e aftësisë së qeverisë.

“Po shpenzojmë afro 1 trilion dollar çdo vit në nivel federal dhe shtetëror për programe kundër varfërisë megjithatë kemi pasur efekt minimal për uljen e varfërisë. Kjo do të thotë se nuk kemi gjetur mënyrën optimale dhe ndoshta duhet të gjejmë zgjidhje të tjera”.

Statistikat tregojnë se të ardhurat mesatare për familjet në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar ishin pak më shumë se 51 mijë dollarë. David Johnson është shef i Divizionit të Statistikave Sociale, Ekonomike dhe të Strehimit në Zyrën e Statistikave.

“Që nga viti 2007, para recesionit të fundit, të ardhurat e mesme familjare kanë rënë 8.3 për qind dhe ishte 9 për qind më poshtë nivelit më të lartë që arriti në vitin 1999”.

Zoti Johnson thotë se familjet aziatike kanë të ardhurat më të larta mes grupeve etnike, me 68 mijë dollarë në vit. Hispanikët dhe zezakët marrin pothuajse gjysmën e kësaj shume.

Barbie Izquierdo thotë se ajo doli nga varfëria falë programit të ndihmës ushqimore. Kongresi po shqyrton mundësinë e shkurtimit prej 40 miliardë dollarëve në 10 vjet nga ky program me kushte më të vështira për t’u kualifikuar.
Bob Aiken është president i një organizate për të luftuar urinë të quajtur Feeding America.

"Kjo do të thotë se 1.5 miliardë vakte ushqimesh do të shkurtohen çdo vit për familje të uritura në 10 vitet e fundit”.

Por zoti Tanner i organizatës Cato thotë se programi nuk mund të vazhdojë të rritet.

“Kemi shkuar nga 17 milionë vetë që merrnin ndihma ushqimore në vitin 2000, në 48 milionë, vetëm brenda një dekade. Dhe megjithatë nuk ka prova që kemi pasur efektivitet në pakësimin e urisë apo rritjen e vlerës ushqimore”.

Zonja Izquierdo nuk është dakord me këtë vlerësim.

“Nëse duam të japim shembull si një vend i fortë, duhet të kemi themele të forta”.

Këto themele, shton ajo, nuk mund të jenë të forta nëse fëmijët, udhëheqësit e ardhshëm të këtij vendi, nuk ushqehen.
XS
SM
MD
LG