Lidhje

Varfëria dhe Caritas shqiptar


Në Shqipëri, organizata humanitare Caritasi shqiptar po përpiqet prej disa vitesh të ndihmojë zonat e varfra që të përballojnë vështirësitë e jetës. Në një qendër të saj pranë Fushë-Krujës CARITAS kujdeset për fëmijët me aftësi të kufizuara mendore, një nga grupet më të veçuar dhe më të harruar të shoqërisë.
Organizata humanitare Caritasi shqiptar ka ngritur në mes të fshatrave Nikël, Larushkë dhe Arameras të Fushë-Krujës qendrën e kujdesit ditor “Jetë në Zhvillim”. Kjo është një qendër kujdesi për 32 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara mendore. Ata nuk kanë ende një status në shoqëri, ndaj ata përpiqen çdo ditë me veprimtari të ndryshme krijuese ta fitojnë vëmendjen e të tjerëve. Jonida Ruçaj thotë se midis këtyre Lulzimi është një piktor i talentuar, dhe me punët e tij janë hapir disa ekspozita. Në qendër ai po mëson dhe shkrimin dhe gjuhën e shenjave.

Me veprimtari të ndryshme si piktura, punimet artistike artizanale, zdrukthtaria, sporti, kopshtaria synohet integrimi i këtyre fëmijëve. Një pjesë e vazjave mësojnë përdorimin e makinës qepëse, që lehtëson punësimin e tyre më pas. Ermira Dashi drejton krijimet artizanale shkathtësohet lëvizja e gishtave dhe me qëndisjet argëtimi është më i madh. Qëndisjet shiten në panaire dhe fitimet e pakta shpenzohen përsëri për vazhdimin e qendrës.

Takimet e sociologëve me familjarët ndihmojnë të krijohet një mjedis i ngrohtë për ta, ndërsa trajnimet profesionale lehtësojnë integrimin dhe punësimin e tyre në subjekte publike dhe private, por në fillim duhet rritur autonomia e tyre personale – thotë Albina Frroku përgjegjësja e qendrës ditore "Jetë në zhvillim".

Menaxherja e shërbimit, Elona Memetaj, thotë se personat me aftësi të kufizuara duhen ndihmuar që të bëhen të vlefshëm për veten, për familjet e tyre dhe për komunitetin ku bëjnë pjesë. Qendra ditore e Caritas mbron vlerat e shoqërisë, duke mbrojtur dinjitetin e çdo individi dhe duke nxjerrë në pah edhe kapacitetet e personave me aftësi të kufizuara mendore.

Qendra ka ngritur edhe një kopsht për 45 fëmijë parashkollorë, që vijnë nga familje të varfëra nën minimumin jetik të fshatrave përreth. Kopshtet e tjerë janë larg dhe prondërit janë shumë të zënë me punë bujqësie, ndërsa fëmijët këtu në qendër mësojnë me mësuese Pranverën në dhoma të ngrohta ku shërbehet edhe ushqim. Qendra po mundohet të tërheqë edhe vëmendjen e pushtetit vendor dhe atij qendror për të siguruar mbështetje dhe financime për shërbimet e saj që jepen falas.

Krahas kopshtit me 45 fëmijë dhe kujdesit për 32 fëmijë e të rinj me probleme mendore, Qendra ofron shërbime mjekësore falas në një ambulancë për të varfërit e zonës, që nuk përballojnë shpenzimet as për shërbimet publike. Organizatat humanitare si Caritasi përpiqen të ndihmojnë komunitetet e varfëra në mjaft zona të Shqipërisë duke ofruar disa shërbime falas. Ato pohojnë se pushteti vendor, institucionet qeveritare dhe joqeveritare si dhe aktorë të tjerë socialë nevojitet të mbështesin njëri-tjetrin dhe të bashkërendojnë veprimet për arsimin, punësimin dhe shërbimet për komunitetin.

XS
SM
MD
LG