Lidhje

"Fundjava Ndryshe" kundër varfërisë ekstreme


Fondacioni "Fundjava Ndryshe" ndihmoi këtë të shtunë disa familje të varfra në bashkinë e Kamzës.

Ndihmë për më të varfrit
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:21 0:00

Së bashku me një zonjë dhe dy fëmijët e saj, veprimtarët e "Fundjavës Ndryshe" dërguan ushqime, veshmbathje dhe lodra në familjen Bujar Maha, në Bregun e Lumit.

Së bashku me gruan dhe tre fëmijët, Bujari jeton në një ndërtesë të papërfunduar në kufirin midis Bashkisë së Kamzës dhe Tiranës, por asnjëra prej bashkive nuk i është gjendur pranë.

Ata mbushën 11 vjet që kanë ardhur nga një fshat i Peshkopisë dhe ende nuk i ka regjistruar askush si banorë të bashkisë së re.

Duke mos u regjistruar në një gjendje civile të re ata nuk figurojnë në asnjë listë të ndihmës dhe përkrahjes sociale.

Të dy prindërit janë pa punë, të tre fëmijët janë pa shkollë edhe pse streha e tyre është vetëm 100 metra larg nga shkolla e asaj zone.

Bujari e siguron mbijetesën e familjes vetëm duke mbledhur mbetje plastike për riciklim qe i mbledh në pikat e mbeturinave të asaj zone.

Streha nuk ka energji elektrike dhe as ujë të pijshëm dhe zyrtarët vendorë jo vetëm nuk shkojnë ta shohin e ta ndihmojnë, por as nuk e presin ta dëgjojnë kur ai shkon për të kërkuar ndihmë.

Fondacioni “Fundjava Ndryshe” ka vetëm 4-5 muaj që funksionon por ka ndihmuar deri tani disa qindra familje, që jetojnë në varfëri ekstreme larg vëmendjes të administratës.

Këta veprimtarë vullnetarë po përpiqen të ndihmojnë të varfërit duke i bërë thirrje bujarisë së qytetarëve për të dhënë një copë nga pasuria apo nga kursimet e shtëpisë së tyre.

Bashkëthemeluesi i “Fundjavës Ndryshe” Ilir Hoxholli thotë se ata po përpiqen të gjallërojnë traditat e hershme të shqiptarëve për bujari dhe bamirësi për të ndihmuar sadopak familje në varfëri ekstreme.

Fondacioni “Fundjava Ndryshe” ka organizuar dhjetëra takime të familjeve të varfëra me familje bamirëse, të cilët janë kryesisht nga shtresa e mesme.

Një pjesë e tyre kanë kërkuar që të vendosin lidhje për ndihmë të vazhdueshme me këto familje.

Në radhën e qindra bamirësve qe po dhurojnë ushqime dhe veshmbathje për të varfërit, një pjesë janë figura publike, ndërsa pjesa më e madhe po japin ndihma në heshtje duke kërkuar që të mbesin anonim pa u mburrur me aktin e tyre.

Nisma e këtyre të rinjve po ka një jehonë të konsiderueshme në Shqipëri dhe jashtë saj.

Një tjetër bashkëthemelues i organizatës, Arbër Hajdari, do të udhëtojë javën tjetër në SHBA, ku qindra bamirës të tjerë shqiptaro-amerikanë e kanë ftuar të hapi atje një zyrë për të mbledhur ndihma për të varfërit shqiptarë.

Ai së bashku me mikpritësit e tij do të zhvillojë në New York një tubim, të enjten, 19 maj 2016, në orën 6 mbas dite për të diskutuar qëllimet e fondacionit dhe për të koordinuar më mirë këtë veprimtari bamirëse nga SHBA drejt Shqipërisë.

Studime të ndryshme vendase dhe të huaja tregojnë për një thellim të varfërisë vitet e fundit në Shqipëri, ku më të rrezikuarat janë ato familje që jetojnë në varfëri ekstreme, larg vëmendjes së administratës shtetërore, të cilat vuajnë kryesisht për shkak të migracinit të brendshëm.

Krahas ndihmës së shpejtë në ushqime, detergjente dhe veshmbathje, Fondacioni “Fundjava Ndryshe” po mundohet t'i ndihmojë këto familje të varfra edhe me mbështetje afatgjatë në dokumenta dhe regjistrimin e fëmijëve të tyre nëpër shkolla.

XS
SM
MD
LG