Lidhje

Varfëria në Shqipëri, mungojnë studime të detajuara


Varfëria në Shqipëri, mungojnë studime të detajuara
Varfëria në Shqipëri, mungojnë studime të detajuara

Ndërsa nderimet e sotme për Nobelisten e Paqes, Nënë Tereza, kaluan në Tiranë vetëm me disa tufa lulesh nga qytetarët anonimë tek monumenti dhe sheshi me emrin e saj, analistët vlerësojnë se varfëria që ajo luftoi aq shumë është sot jo vetëm në nivele të larta por edhe e pastudiuar sa duhet. Dr.Ilia Telo, kryetar i shoqatës së demografisë, thotë se Shqipëria ka një varfëri 3 herë më të madhe se Europa ku dëshiron të integrohet, por harxhon 3 herë më pak para kundër mjerimit. Shqipëria jep 10 për qind të GDP kundër varfërisë, kryesisht fonde për pensione dhe asistenca, kurse Europa jep 27 për qind të GDP, pra 3 herë më shumë. Sipas tij, autoritetet ende nuk kanë deklaruar se sa është minimumi jetik i jetesës në Shqipëri”.

“Problemi i parë është që shteti duhet ta përcaktojë minimumin jetik, sepse deri tani nuk është përcaktuar. Ky tregues duhet të përcaktohet nga grup ekspertësh; dietologë, sociologë, ekonomistë. Kjo duhet pranuar, duhet shpallur, duhet njohur nga qeveria dhe nga parlamenti dhe pastaj duhet bërë një program pune për uljen graduale të varfërisë” - tha ai.

Zoti Telo thotë se ende nuk ka të dhëna të plota dhe zyrtare për varfërinë. Autoritetet pohojnë në mënyrë të përgjithshme se varfëria ekstreme ishte 25 për qind dhe u ul në 12 për qind, pa iu referuar ndonjë të dhëne statistikore. Por realiteti flet ndryshe. Sipas dr.Telo, varfëria është e shtrirë gjerësisht në familjet fshatare, që zënë më shumë se gjysmën e popullsisë, dhe që emigrojnë më shumë se të tjerët. Krahas fshatarëve, shtresa të varfëra janë edhe grupet me asistenca 20-30 dollarëshe, grupet me paga të vogla, të papunët, dhe gjysëm milioni pensionistë.

“Në bazë të rillogaritjeve që kemi bërë ne, del që minimumi jetik për frymë është rreth 15 mijë lekë të reja. Ata njerëz që sigurojna më pak se ky kufi ata quhen të varfër. Në bazë të të dhënave tona del që afro 60 për qind e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë.” - tha ai.

Ndërsa sociologia dhe deputetja e opozitës, Eglantina Gjermeni, thotë se rritja ekonomike dhe ulja e varfësisë që deklaron qeveria nuk janë reale, sepse nuk ka një shtim të punësimit. Sipas saj, studimet e OKB sugjerojnë që 1 në 2 familje shqiptare është e varfër. Studime të ngjshme vijnë edhe nga Banka Botërore.

“Numri i familjeve që marrin ndihmë ekonomike është rritur. Në vitin 2010 ishin 98 mijë famijle dhe kjo shifër është rritur me 4 mijë familje më shumë. Pra, janë 4 mijë familje më shumë janë të varfëra. Ndihma ekonomike është vetëm 3 mijë e 500 lekë në muaj, dhe mendoni se cfarë mund të blejë kjo familje me 35 dollarë në muaj. Banka Botërore thotë se nuk vihet re ulja e varfërisë në Shqipëri” - tha ajo.

Zonja Gjermeni thotë se qeveria nuk ka politika agresive kundër varfërisë, por vetëm jep pagesa të vogla për ndihma të pjesshme, që nuk zgjidhin përfudnimisht këtë problem. “Politikat e qeverisë kundër varfërisë janë politika pasive. Ato nuk e luftojnë varfërinë, sepse nuk hapin vende të reja pune, sidomos për të rinjtë” - tha ajo.

Ekspertët pohojnë që para se të luftohet, varfëria njëherë duhet që të pranohet dhe të njihet në detaje, dhe pastaj të nisë lufta ndaj informalitetit, korrupsionit që të rritet punësimi dhe mirëqenia.

XS
SM
MD
LG