Lidhje

Kardinalë nga e gjithë bota mbërrijnë në Vatikan


Kardinalë nga e gjithë u mblodhën sot në Vatikan për raundin e parë të takimeve para se të fillojë procesi për zgjedhjen e Papës së ardhshëm, ndërkohë që Vatikani përballet me skandale brënda dhe jashtë tij. Papa Benedikti i XVI vendosi të dalë në pension pak javë më parë, duke u bërë Papa i parë pas 600 vjetësh që ndërmer një hap të tillë.

Kardinalëve iu bë një pritje madhështore ndërsa hynin në Vatikan, të ndjekur nga kamerat e shumta mes grumbullit të njerzve.

“Kisha është gati për këdo që do të zgjidhet si Papa i ardhshëm. Kisha është universale, në kishë nuk ka rëndësi kombësia, apo ngjyra dhe përkatësia partiake. Çdo peshkop që ka pagëzimin e krishterë pranohet plotësisht nga Kisha”, thotë Carlos Amigo Vallejo, Kardinal nga Spanja.

Çështja kryesore që do të vendosin kardinalët është data e fillimit të takimeve për zgjedhjen e Papës së ardhshëm, përfshirë mbylljen e Kapelës Sistine për vizitorët dhe shmangien e çdo mundësie përgjimi në hotelin e Vatikanit, për të ruajtur fshehtësinë e bisedave të kardinalëve.

Megjithatë data e fillimit të procedurave për zgjedhjen e Papës mund të mos caktohet sot, pasi siç tha dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Angelo Sodano, kjo do të bëhet vetëm kur të gjithë kardinalët të kenë arritur në Romë.

Dita e parë e diskutimeve u shoqërua me njoftime mbi një skandal tjetër seksual. Kardinali britanik, Keith O'Brien pranoi se ishte përfshirë në akte të papërshtatshme seksuale. O'Brien dha dorëheqjen si kryepeshkop i Skocisë pasi 4 persona thanë se ishin keqtrajtuar nga kleriku, madje ky i fundit tha se nuk do të marrë pjesë në procedurat për zgjedhjen e Papës, duke u bërë kardinali i parë që nuk merr pjesë në këtë proces për shkak të një skandali personal.

Një çështje tjetër me të cilën do të merren kardinalët ka të bëjë pikërisht me arsyen që i solli ata këtu: dorëheqjen e Benediktit dhe pasojat e saj.

Më parë, kardinalët mund t’i kishte shqetësuar ideja e zgjedhjes së një Pape tepër të ri në moshë, nga frika se ai do të qendronte mjaft gjatë në krye të kishës.
Pas dorëheqjes së Benediktit, Vatikani është i hapur si për zgjedhjen e një Pape të ri në moshë ashtu edhe të një Pape të moshuar, i cili të dalë në pension pas disa vjetësh, pa u angazhuar shumë në skenën botërore.
XS
SM
MD
LG