Lidhje

OKB, thirrje Vatikanit mbi abuzimet e fëmijëve

  • Jerome Socolovsky

Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Fëmijës i ka bërë thirrje Vatikanit që të "largojë menjëherë " të gjithë klerikët e akuzuar për abuzim të fëmijëve dhe t’i dorëzojë ata tek autoritetet civile.

Komisioni i kërkoi Vatikanit të pranojë abuzimin seksual të dhjetëra mijëra fëmijëve dhe të dorëzojë arkivat që zotëron mbi këtë çështje. Përmes një deklarate Selia e Shenjtë reagoi duke thënë se do t’i “studiojë dhe ekzaminojë hollësisht” vlerësimet e komisionit, por shtoi se “vëren me keqardhje” se disa pika të tyre ndërhyjnë tek mësimet e kishës katolike mbi dinjitetin e njerëzve dhe ushtrimin e lirisë fetare.

Është hera e parë që Selia e Shenjtë vihet përballë pyetjeve në një seancë ndërkombëtare kushtuar kësaj çështjeje.

Disa priftërinj janë dënuar dhe disa dioqeza kanë falimentuar për shkak të padive. Por Seanca e muajit të kaluar në Gjenevë ishte hera e parë që Vatikanit i duhej t’i përgjigjej pyetjeve të një paneli ndërkombëtar rreth priftërinjve pedofilë.
Kryeipeshkvi Silvano Tomasi, përfaqësues i Vatikanit në OKB, dëshmoi kështu:

"Selia e Shenjtë ka përcaktuar me kujdes politika dhe procedura për të ndihmuar në eliminimin e abuzimeve të tilla."

Por Vatikani ka refuzuar të dorëzojë informacion për më shumë se 4 mijë raste, për të cilat është vënë në dijeni.

Aktivisti Mark Serrano thotë se iu desh të paraqiste padi për të arritur që kisha të pranonte se prifti i tij e kishte abuzuar në vitet ‘70 dhe ‘80. Ai thotë se personi u vendos në një tjetër famulli, ku abuzoi seksualisht dhjetëra fëmijë të tjerë.

Zoti Serrano është tani aktivist për viktimat e abuzimeve nga priftërinjtë në SHBA.

Ai nuk i beson ato që thanë klerikët në Gjenevë.

"Ata zbehin ngjarjet. Ata mohojnë. Ata fshehin. Ata ofrojnë fjalë të ngrohta. Por ato janë si fjalët e ngrohta që më thuheshin mua kur isha i vogël nga ipeshkvi im. Është e njëjta rutinë, e njëjta vepër që unë përjetova 30 vjet më parë."

John Carr, i cili jep mësim në Universitetin Georgetown të Uashingtonit, drejtuar nga jezuitët, ka punuar për Konferencën e Ipeshkëve në SHB. Ai nuk i dha rëndësi hetimit të OKB-së.

"Ajo që po bën OKB-ja është diçka normale. Mendoj se ne duhet të mbajmë përgjegjësi. Por gjëja më thelbësore janë ndryshimet që po ndodhin çdo ditë në sjelljet, qëndrimet dhe praktikat e kishës sonë."

Një ditë pas seancës së Gjenevës, Vatikani bëri të ditur se Papa Benedikti u kishte hequr urdhërin fetar qindra priftërinjve abuzues.
Por zoti Serrano thotë se edhe ipeshkvët duhet të jenë përgjegjës.

"Asgjë nuk do të ndryshojë nëse Papa Françesku nuk përjashton ipeshkvët për fshehjen e abuzuesve seksualë të fëmijëve."

Papa Françesku ka krijuar një komision për mbrojtjen e fëmijëve. Por kritikët thonë se kjo është një përgjigje zhgënjyese nga një papë që po bën shumë për të ndryshuar imazhin e kishës.

XS
SM
MD
LG