Lidhje

Viktimat e abuzimit, skeptikë për Papën e ri


Kardinalët e kishës katolike filluan sot votimin në Vatikan, për zgjedhjen e Papës së ri. Ndërsa filloi procesi për caktimin e Papës së ri, një prej çështjeve të vazhdueshme që nxit debate kundërthënëse është abuzimi i klerikëve katolikë. Disa prej viktimave të abuzimit thonë se Kisha është përpjekur të shmangë përgjegjësinë dhe ata janë skeptikë se Papa i ri do të kryejë ndryshime të mëdha. Gazetari i Zërit të Amerikës Jerome Sokolovsky, takoi një prej viktimave të abuzimit në Amerikë, ndjekim rrëfimin e saj:

“Kjo është fotografia ime përpara abuzimit. Isha 8 ose 9 vjeçe kur nisi abuzimi me mua”

Becky Ianni e kujton vehten e saj si një fëmijë i lumtur e normal.

“Kjo jam unë mbas abuzimit. Siç e shihni kam prerë flokët. Ai më prekte flokët.

“Ai më përdhunonte me duar.”

“Në famullinë e kishës, ai qëndronte mbas meje dhe kalonte duart e tij nën uniformën time të shkollës. Mbaj mend se mbas kësaj ngjarje, nisa të vesh një triko gjithë kohën. Ajo ishte mbrojtja ime”.


Becky Ianni thotë se ajo nuk e kuptonte këtë si marrëdhënie seksuale.

“E ndjieja që kjo ishte e gabuar, dhe kjo më bënte të ndjehesha shumë keq. Për asnjë moment nuk fajësoja atë. Fajësoja 100 përqind vehten time sepse mendoja që Zoti po më ndëshkonte pasi isha nj vajzë e vogël me mendime të këqija”

“Autori i kësaj ngjarje ishte prift i sapo shuguruara dhe famullia jonë, e ST. Mary-t, ishte shërbimi i tij i parë”.


Njeriu për të cilin Becky Ianni thotë se ka abuzuar me të, i përndershmi William T. Reinecke, ka shërbyer në këtë kishë të Aleksandrisë në Virginia.
Ai vrau vehten në vitin 1992 mbasi u përball me një tjetër viktimë, një prej djemëve të altarit.
Becky Ianni është tani zëdhënëse për një grup viktimash (rrjeti i të mbijeturëve të abuzuar prej priftërinjëve), i cili do që Papa Benedikti të hetohet pasi nuk mbrojti fëmijët.
Por Benedicti shkoi edhe më tej se parardhësi i tij, John Pauli i dytë, në frenimin e priftërinjëve pedofilë, thotë biografi i papatit Marco Politi.

‘Ratziner si Papë natyrisht që kërkoi të hapte një faqe të re, dhe vendosi rregullat e tij, që ishin më të ashpra. Ai paraqiti politikën e tolerancës zero. Njëkohësisht, ka ende viktima të panjohura nëpër arkivat që nuk janë hapur”.

Shumica e rasteve të njohura janë në Shtetet e Bashkuara, ku më shumë se 15 mijë njerëz kanë ngritur akuzën se janë dhunuar që nga viti 1950. Ka patur akuza edhe në Europë dhe Australi.
Është vështirë të dihet se sa i përhapur ka qenë abuzimi në vendet e botës së tretë, sepse në shumë vende ka tabu rreth diskutimit të këtij fenomeni. Por në Shtetet e Bashkuara, një sondazh i fundit tregon se një në tre kisha katolike mendon se ky është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet kisha.
Përpara konklavës, peshkopi i Çikagos Francis George tha se Papa i ardhshëm nuk duhet të tolerojë abuzimin.

“Ende ka viktima, dhe plagët e tyre janë të skalitura shpesh herë thellë në zemrat e mendjet e tyre, dhe për sa kohë janë me ta, ato plagë janë dhe me ne dhe kjo do të zgjasë për një kohë të gjatë”.

Becky Ianni thotë se ajo arriti një marëveshje, por vetëm mbasi kisha e pati zvarritur problemin.

“Mendoj se instikti i parë i tyre është të vetmbrohen, të mbrojnë reputacionin e kishës”.

Ajo shpreson se do të jetë ndryshe në papatin e ri, por deri tani ajo thotë se kisha është përgjigjur vetëm kur është detyruar.
XS
SM
MD
LG