Lidhje

Vatra 100 vjet në shërbim të kombit

  • Astrit Lulushi

Shqiptarët në Nju Jork vazhdojnë festimet me rastin e 100 vjetorit të krijimit të federatees Vatra. Mes tyre ndodhen këto ditë shqiptarë nga të gjitha anët e Amerikës por edhe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia,Mal i Zi e Lugina e Preshevës. Në konferencën shkencore dje, që zgjati thuajse gjithë ditë, morrën pjesë ose përshëndetën edhe kryeministri i Shqipërise, Sali Berisha, nën kryeministrja e Maqedonisë, Teuta Arifi, ministri i Kosovës për diasporën Ibrahim Makolli, përfaqësues të arbëreshëve të Italisë dhe udhëheqës nga të katër besimet fetare. I pranishëm ndodhej gjithashtu ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksander Arvizu.

Në një nga hotelet e njohura në Manhattan, The Helmsley Park Lane, dje më 28 prill u zhvillua Konferenca Shkencore “Federata Pan-shqiptare e Amerikës ”VATRA, 100 vjet në shërbim të Kombit”. Në konferencë paraqitën kumtesa studiues të njohur të botës akademike shqiptare, të cilët me analizat e tyre ritheksuan rolin e kësaj federate që nga arritja e saj thelbësore, themelimi i shtetit shqiptar, deri në këtë 100 vjetor.

Konferencën e deklaroi të hapur kryetari i Vatrës, doktor Gjon Buçaj. Pas interpretimit të hymneve kombëtare amerikane e shqiptare, nga artistët e njohur Merita Halili dhe Raif Hyseni, klerikë të larte shqiptarë nga të katër besimet fetare përshëndetën e u lutën për shqiptarët dhe Vatrën në këtë 100 vjetor.

I pranishem në konferencë, kryeministri Sali Berisha tha se në këtë ditë nderohen të gjithë sepse e tillë gjithëpërfshirëse është Vatra. Zoti Berisha falenderoi shqiptarët e Amerikës për emrin e mirë që i japin vendit të tyre dhe theksoi se Shqipëria krenohet me 'ta.

Historia e Vatrës, është edhe histori e marrëdhënieve shqiptare amerikane tha zoti Frank Shkreli duke u paraqitur pjesëmarrësve, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ambasadori amerikan e cilesoi këtë përvjetor si një rast për të reflektuar e gjithashtu për të rikthesuar se përpjekjet dhe marshimi i shqiptarëve drejt një jete çdo ditë më të mirë vazhdon e kurrë nuk do të ndalet.

Prof. Dr. Nicholas Pano preku vecanërisht atë aspekt të Vatrës që lidhet me përvojën e tij jetësore si shqiptaro amerikan me prindër veprimtarë që në fillimet e Vatrës. Dr. Elez Biberaj foli mbi rolin e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, me ekzistencën dhe nëpërmjet të cilit, tha ai, qeveria amerikane tregon drejtpërdrejt kujdesin e saj për aspiratat e kombit shqiptar për demokraci e begati, ashtu siç ka treguar interes e angazhim kur ka qenë nevoja edhe për lirinë e këtij kombi.

Shkrimtari Naum Prifti foli mbi rolin e Nolin në kuadër të Vatrës por edhe si përkthyes i kryeveprave botërore dhe sesi Fan Noli ia përshtati ato nevojave të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Autori i librit Faik Konica - Jeta ne Ushington, Ilir Ikonomi tregoi sesi konkretisht Vatra me përfaqësuesit e saj kontribuoi në njohjen de-jure të shtetit shqiptar nga Shtetet e Bashkuara dhe si ndikoi drejtpërdrejt kjo Vatër në vendosjen e marredhënieve diplomatike Shqipëri - Amerikë, 90 vjet më parë në korrik të vitit 1922. Ndërsa studiuesi Agron Alibali foli edhe mbi rëndësinë e zbulimit dhe ruajtjes a mirëmbajtjes së librave, shkrimeve e dokumenteve të fillimeve të Vatrës. Zoti Alibali vazhdimisht ka theksuar se shumë libra nga biblioteka e Konicës janë zhdukur ose mbahen nga njerëz që nuk e dinë se i kanë dhe se vend-ruajtja e tyre më e sigurt mund të jenë vetëm institucionet si Biblioteka Kombëtare.

Punimet e konferencës vazhduan gjatë gjithë ditës ku studiues, historianë, intelektualë trajtuan secili aspekte të vecanta të veprimtarisë 100 vjecare të Vatrës. Për shembull, studiuesi Idriz Lamaj e përqëndroi kumtesën në trajtimin që Vatra u bëri pretendimeve territoriale greke në vitet 1920, kur Vatra i paraqiti memorandumin e saj Lidhjes se Kombeve. Ishte ky memorandum që çoi në vendimin ndërkombëtar për t'a detyruar Greqinë të tërhiqte trupat e saj nga Korca, Gjirokastra e gjithë Shqipëria jugore, tha zoti Lamaj.

Trajtesat shkencore që u paraqitën në Konference, Vatra ka në plan t'i botojë në formë libri në nje vëllim të posaçëm me titull: Vatra 100 vjet në shërbim të kombit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG