Lidhje

Në arkivin e Vatrës

  • Ilir Ikonomi

Vatra archive

Vatra archive

Organizata Vatra me qendër në Nju Jork, ka një histori të veçantë. Ajo u krijua në prill 1912 në Boston, nën drejtimin e Fan Nolit dhe Faik Konicës, si bashkim i shumë organizatave më të vogla në komunitetet shqiptare, kryesisht të verilindjes amerikane. Sot, pas më tepër se një shekulli, ajo ende ekziston.

Arësyeja e ekzistencës së saj mund të kërkohet tek gjërat që ajo bëri për Shqipërinë, por edhe te materiali dokumentar që ka lënë pas. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në Nju Jork dhe bisedoi me zotin Dalip Greca, kryeredaktor i gazetës Dielli, organ i Vatrës.

Zoti Greca thotë se historia e kësaj organizate mbi 100-vjeçare është e dokumentuar me një material të shumtë që ndodhet në këtë ndërtesë të Bronksit.

“Në fakt, edhe vetë komuniteti nuk e di se çfarë pasurie fshihet këtu brenda. Këtu ka dokumente origjinale të paktën që nga viti 1910. Regjistri më i vjetër që ndodhet në Shtëpinë e Vatrës është ai i shoqatës Besa-Besë, një nga shtyllat që krijuan Vatrën. Nga viti 1910 ne kemi të dokumentuar të gjitha takimet që bënte organizata Besa-Besë, marrëdhëniet me Faik Konicën…”

Vatra do të mbahet mend sidomos për fushatat e saj në ndihmë të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore.

“Këtu ka dokumentacion të plotë për të gjitha fushatat e mëdha që ka bërë Vatra. Kështu për shembull, është fushata e 3 qershorit 1917, kur vatranët nisën të bashkojnë kursimet e tyre, për të realizuar mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes,” thotë zoti Greca.

“Veprimi i pare që bëri Vatra, është i dokumentuar aty, i vuri një rrogë Mehmet Konicës, që nga viti 1916, dhe e dërgoi atë në Londër. Po ashtu Doktor Turtulli në Gjenevë, Mitat Frashëri, Kostë Çekrezi në Uashington. Të gjithë këta do të lobonin për pavarësinë e Shqipërisë dhe duheshin paguar.”

Ishte koha kur shteti i Shqipërisë kishte gati moshën që ka sot shteti i Kosovës. Qeveria që u formua në Kongresin e Lushnjes, në vitin 1920, nuk mund të funksiononte dot pa financa dhe Vatra ndihmoi përsëri:

“Qeveria e Sulejman Delvinës dërgoi këtu Mithat bej Frashërin, i cili i shoqëruar nga vatranët, brodhi koloni më koloni ku jetonin shqiptarët dhe organizuan atë që quhet huaja kombëtare. Filloi fushata me idenë që të mblidheshin së paku 100 mijë dollarë. Por ajo qe aq e suksesshme saqë shkoi në 198 mijë dollarë, ose rreth 2,8 milion dollarë me paratë e sotme."

Shtëpia e Vatrës ka një koleksion të mirë të gazetës Dielli, më e vjetra gazetë në gjuhën shqipe që vazhdon të dalë edhe sot. Ajo është kujtesa historike e Vatrës.

“Kjo është një pasuri më vete dhe mua më vjen mirë që shumë studiues shqiptarë, sidomos studentë shqiptarë, veçanërisht ata të Kosovës, vijnë nga universitetet e Evropës dhe bëjnë mbrojtje diplome, duke shfrytëzuar materialet e Diellit këtu."

Zoti Greca thotë se Vatrës i vijnë vazhdimisht materiale me vlerë nga njerëz të ndryshëm që duan t’i dhurojnë dhe t’i depozitojnë ato në një vend të sigurt:

“Na kanë ardhur fotografi që nuk i kishim patur: piknike të shqiptarëve, apo nga shoqata të tjera që kanë vepruar në SHBA. Por kanë ardhur edhe gazeta të veçuara. Por është një aksion që nuk duhet të njohë kufi kohor.”

Arkivi i Vatrës është jetëshkrimi i saj, që u flet shqiptarëve të Amerikës, sidomos të rinjve, për të kaluarën e këtij komuniteti të gjallë, të larmishëm dhe interesant.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG