Lidhje

“Vatra” përgatit 100 vjetorin, Arshi Pipa nderohet në Tiranë


“Vatra” përgatit 100 vjetorin, Arshi Pipa nderohet në Tiranë

“Vatra” përgatit 100 vjetorin, Arshi Pipa nderohet në Tiranë

Një grup veprimtarësh të Federatës “Vatra” nga SHBA u takuan sot me presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. 100 vjetori i organizatës së tyre përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Përfaqësues të saj folën me shqetësim edhe për zhvillimet e fundit politike. Ndërkohë, një grup studiuesish nderuan sot Arshi Pipën, një figurë e njohur e diasporës shqiptare në Amerikë, duke botuar një vepër të tij filozofike, që e shkroi në burgun politik të Burrelit.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, u takua sot me një grup përfaqësuesish të Federatës “Vatra” nga SHBA. Ata kanë disa ditë që vizitojnë Shqipërinë dhe më pas Kosovën dhe Maqedoninë, në prag të 100 vjetorit të themelimit të organizatës së tyre. Presidenti Topi tha në takim se diaspora shqiptare në SHBA ka luajtur dhe luan një rol të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro - amerikane, si dy vende mike dhe aleate të ngushta.

Kryetari i federatës shqiptare “Vatra”, Gjon Buçaj, tha se u diskutua edhe mundësia që veprimtaritë e 100 vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë të përfshijnë edhe ato për 100 vjetorin e “Vatrës”. Nga ana tjetër zoti Buçaj, tha se “Vatra” e sheh me shqetësim mjedisin politik në shqipëri, sepse vëren intolerancë politike. Ndryshimi është pjesa kryesore e demokracisë. Në demokraci duhen ndjekur rrugët ligjore dhe të respektohen institucionet.

“Në çdo fushatë elektorale gjuha është me kritika, por pastaj bëhen votimet. Nga rezultati dikush do të fitojë. Në rast se nisemi nga principet e demokracisë dhe të burrnisë shqiptare, atëherë njerëzit pas fushatës elektorale i japin dorën njëri-tjetrit. Në SHBA kandidati që humb garën e thërret i pari në telefon fituesin, e uron kundërshtarin që fitoi, dhe i bën premtimin se do të bashkëpunojë për interesat e popullit, për interesat e vendit. Dëshirojmë shumë që këtë gjë ta shohim edhe në Shqipëri. Në këtë mënyrë, dikush humb votat, por Shqipëria fiton” - tha zoti Buçaj.

Ndërkohë, një figurë e njohur e kulturës shqiptare dhe e diasporës në Amerikë, Arshi Pipa, u nderua po sot në një konferencë shkencore. Shtëpia botuese “Princi” sapo ka botuar librin e Arshi Pipës “Skicë mbi konceptimin e jetës dhe Mbi Gjeniun”, të shkruara në burgun e Burrelit në letra duhani, kur vuante burgimin politik si kundërshtar i diktaturës komuniste. Kjo ngjarje mblodhi shumë studiues dhe dashamirës të kulturës shqiptare në një konferencë shkencore ku u shqyrtua krijimtaria e tij artisitike dhe filozofike.

“Pipa, me durimin e mësuesit, na shpjegonte atë që nuk do ta kishim kuptuar kurrë. Ishte ky çasti kur Pipa, nga shok burgu, shndërrohej dhe bëhej mësuesi ynë për letërsinë, filozofinë dhe të tjera. Si një Sokrat i kohëve moderne, në orën e shëtitjes në ajrosjen e burgut, ai rrethohej gjithmonë nga një grup të rinjsh, që ishin të etur të dëgjonin fjalë të mençura, të cilat nuk munguan kurrë prej tij. Ishte fjalëpak, por bindës. Ishte krenar, por i thjeshtë. Ishte mjeshtër, por me zemër të çelët” - tha shkrimtari Amik Kasaruho, një nga të dënuarit politik, shok burgu me Arshi Pipën.

Nuk është hera e parë që figura të shquara të kulturës shqiptare nga diaspora e Amerikës botohen në Tiranë si modele frymëzimi shkencor dhe atdhetar. Një numër i konsiderueshëm autorësh shqiptarë ishin ndaluar të botonin dhe u burgosën e u vranë në Shqipëri, sepse idetë e tyre demokratike nuk përputheshin me propagandën komuniste, përndjekjen e dijetarëve dhe izolimin e diktaturës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG