Lidhje

Vazhdojnë mosmarrëveshjet SHBA - Kinë mbi politikat monetare

  • Ivan Broadhead

China Money

China Money

Një mosmarrëveshje e përsëritur po vihet re midis Pekinit dhe Uashingtonit mbi kushtet favorizuese që Kina gëzon në tregun botëror, për shkak të kontrollit të rreptë qeveritar dhe vlerësimit që ajo i bën monedhës së saj Juanit. Në Uashington, Senati amerikan po kërcënon të miratojë sanksione tregëtare kundër Kinës për këtë çështje. Ivan Broadhead, i Zërit të Amerkiës, sjell më tepër hollësi nga Hong Kongu.

Me vendosjen e një kursi këmbimi për juanin më të ulët se vlera e tij në treg, Pekini mban eksportet më të lira për konsumatorët e huaj, duke i dhënë kështu prodhuesve kinezë një avantazh të rëndësishëm në konkurrencën e tregut botëror.

Instituti i Politikave Ekonomike në Shtetet e Bashkuara njoftoi javën e shkuar se, që nga viti 2001, kontrolli i kursit valutor nga ana Kinës ka ndikuar në humbjen e rreth 3 milionë vendeve pune në Shtetet e Bashkuara.

Arthur Kroeber, drejtor i administrimit të firmës GK Dragonomics, thotë se Kina e sheh nënvlerësimin e monedhës dhe bilancin tregëtar pozitiv si një të drejtë të saj dhe si një pjesë themelore të zvillimit ekonomik kombëtar.

“Nuk njihet ende ndonjë mënyrë tjetër për t’u bërë një shtet i pasur e i fuqishëm përveç nxitjes së eksporteve, në fazën e hershme. Një nga mënyrat për të nxitur eksportet është mbjatja e një kursi këmbimi të nënvlerësuar. Qëndrimi kinez mbi këtë çështje është: Të gjithë të tjerët që janë bërë të pasur kanë përdorur të njëjtën teknikë. Ne duam të bëhemi të pasur dhe kemi të njëjtat të drejta me të tjerët.”

Për shkak se ekonomia kineze është tepër e varur nga eksportet, Janet de Silva, dekane e Shkollës së Biznesit Ivey në Hong Kong, thotë se është vështirë të parashikohet se si Pekini mund të liberalizojë monedhën e vet.

“Nëse Kina do të vendoste këmbyeshmëri të plotë, vlera e juanit mund të rritej shumë, ndoshta deri në 20 përqind kundrejt dollarit amerikan, duke ulur kështu ndjeshëm mundësitë për sukses të eksporteve kineze.”

Për të vendosur në të njëjtin nivel prodhuesit amerikanë dhe ata kinezë, udhëheqësi i shumicës demokrate në Senatin amerikan, Herry Reid, tha se së shpejti do të fillohet nga puna për një ligj të mbështetur nga të dyja partitë, i cili do të krijonte mundësi për ta identifikuar Kinën si një manipuluese të monedhës dhe për të vendosur sanksione tregëtare mbi prodhimet kineze. Por Kina mohon se kursi i saj i këmbimit po ndikon mbi problemet ekonomike amerikane.

Zyrtarët kinezë nuk kanë dashur ta liberalizojnë juanin sepse mund të bënte eksportet më pak konkurruese dhe mund të shkaktonte humbje të vendeve të punës, që mund të nxisë trazira shoqërore.

Por mbajtja e juanit nën kontroll të rreptë qeveritar ka gjithashtu anë negative. Monedha kineze nuk tregëtohet në tregun ndërkombëtar, prandaj shumë biznese globale vazhdojnë të vendosin çmimet e prodhimeve dhe kontratave të tyre në dollarë.

Analisti Kroeber thotë se shqetësimet e Kinës mbi qëndrueshmërinë e dollarit po shërbejnë si katalizatorë për përpjekjet e Pekinit për ndërkombëtarizimin e juanit. Ai thotë se objektivi i udhëheqësve kinezë, për 10 ose 20 vitet e ardhshme, është krijimi i një tregu të gjerë ndërkombëtar obligacionesh, i cili do ta shndërrojë juanin në një monedhë rezervash siç është dollari.

“Kina po përpiqet të realizojnë rritjen e përdorimit të juanit. Meqënëse Kina ka shqetësime mbi monedhën me të cilën tregëtia e saj po emërohet, kryesisht dollari amerikan, ata mendojnë se përdorimi i monedhës së tyre është një zgjidhje e mirë.”

Megjithëse investitorët parashikojnë një rritje të vlerës së juanit, ka ende dyshime serioze mbi faktin nëse liberalizimi i kësaj monedhe mund të ndodhë së shpejti. Ndërkohë që juani po vazhdon të zhvillohet si një monedhë më ndërkombëtare dhe më e përshtatshme për këmbim dhe depozitim vlerash, udhëheqësit kinezë lënë të kuptohet se politika monetare e vendit do të vazhdojë të vendoset nga Kina dhe jo nga partnerët e saj tregëtarë.

XS
SM
MD
LG