Lidhje

Vazhdojnë përgatitjet për bisedimet Prishtinë-Beograd


Vazhdojnë përgatitjet për bisedimet Prishtinë-Beograd
Vazhdojnë përgatitjet për bisedimet Prishtinë-Beograd

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se përgatitjet për fillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë në periudhë përfundimtare. Në funksion të këtyre përgatitjeve ishte edhe vizita e zotit Robert Cooper, i dërguar i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme Catherine Ashton. Gjatë vizitës së tij e cila është zhvilluar larg syve të opinionit, zoti Cooper ka debatuar me të dyja palët për rrugët e zhvillimit të këtyre bisedimeve të cilat nga autoritetet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare thuhet se do të jenë për çështje teknike të interesit të ndërsjellë, ndërsa Beogradi shpreson të rihapë edhe çështjet politike dhe synon që nëpërmjet këtyre bisedimeve, të arrijë, siç thuhet, një kompromis me të cilin do t’i jepej fund konfliktit historik ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Kryeministri i kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, emëroi zëvendëskryeministren e tij, Edita Tahirin, udhëheqëse të delegacionit të Kosovës për dialogun për çështje praktike me Serbinë. Ai ka shprehur bindjen se këto bisedime nuk do të kenë të bëjnë me statusin e Kosovës dhe tërësinë e saj tokësore.

“Dialogu që do të fillon në të ardhmen e afërt, do të përmbyllet me një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajonit, për një të ardhme më të mirë evropiane, për një të ardhme më të mirë për të dy vendet dhe popujt tanë dhe me njohjet reciproke që do të ndodhin”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Sot, ndërkaq Klubi për Politikë të Jashtme e cilësoi të gabueshëm emërimin e udhëheqësit për bisedime pa e përfillur opozitën dhe Parlamentin e Kosovës, meqë siç thuhet, ky i fundit është vendi ku do të duhej të diskutohet procesi para miratimit të tij. Ky klub, mendon se procesi i bisedimeve me Serbinë duhet të jetë konsensual dhe t’i nënshtrohet verifikimit nga Parlamenti i vendit. Kryetari i këtij të fundit, Jakup Krasniqi ka deklaruar se është i gatshëm të hedhë në debat këtë çështje nëse një gjë e tillë kërkohet nga strukturat e Parlamentit.

“Qeveria i ka kompetencat e veta me kushtetutë dhe me ligje. Sigurisht, nëse bëhet kërkesa nga grupet parlamentare ose në forma të tjera, ne do ta radhisim në seancë sipas rregullores së punës së kuvendit”, tha zoti Krasniqi.

Vëzhguesit e pavarur tërheqin vërejtjen se përgatitjet për bisedimet të cilat mund të fillojnë në pjesën e parë të muajit mars, po ndodhin në një periudhë kur gjendja politike në Kosovë nuk është shumë e qëndrueshme sikundër as ajo ekonomike dhe sociale. Kosova, sipas tyre, shkon bisedime me një pozicion të dëmtuar edhe për shkak të imazhit të saj ndërkombëtarë. Po ashtu thonë ata, brenda Kosovës ekzistojnë dallime të mëdha rreth bisedimeve të paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që është njohur deri tash nga 75 vende të botës.

XS
SM
MD
LG