Lidhje

Vazhdojnë përpjekjet për parandalimin e katastrofës toksike në Hungari


Vazhdojnë përpjekjet për parandalimin e katastrofës toksike në Hungari
Vazhdojnë përpjekjet për parandalimin e katastrofës toksike në Hungari

Policia hungareze ka arrestuar drejtorin e prodhuesit të aluminit që ka lidhje me derdhjen e mbetjes toksike që përmbyti disa fshatra dhe rrezikoi disa kalime të rëndësishme ujore në perëndim të vendit javën e kaluar. Kryeministri Viktor Orban ja bëri të njohur arrestimin ligjvënësve hungarezë. Ai tha se qeveria duhet të marrë përsipër përkohësisht operimin e uzinës në qytetin Devesher.Autoritetet hungareze thanë se parashikojnë që deri nesër të përfundojë ndërtimi i një muri emergjent përreth rezervuarit të dëmtuar me mbetje toksike në pjesën perëndimore të vendit. Një zyrtar për ndihmat emergjente tha sot se punëtorët kishin përfunduar 70 për qind të digës së re. Pjesë të murit origjinal të rezervuarit u shembën të hënën e kaluar, duke bërë që një sasi e madhe mbetjesh toksike të vërshonte në fshatrat përreth. Të paktën 7 veta humbën jetën dhe mbi 120 të tjerë u plagosën.


Më vonë u panë plasaritje të murit verior të rezervuarit, duke kërcënuar derdhje të mëtejshme të lëndës toksike dhe evakuime të tjera në fshatrat përreth. Një ekip ekspertësh të Bashkimit Evropian u nis për në Hungari për të vlerësuar dëmet.

Zyrtarët thanë se nuk ka pasur zgjerim të plasaritjeve në muret e rezervuarit që u ça javën e kaluar, duke bërë që mbetja toksike të përhapet në disa fshatra në Hungarinë perëndimore.


Rreth 700 mijë metra kub mbetje toksike u përhap në 3 fshatra brënda një ore, duke shkaktuar djegjen e njerzve dhe të kafshëve.
Zyra Kombëtare për Menaxhimin e Katastrofave tha sot se masat e marra gjatë 24 orëve të fundit nuk tregonin plasaritje të tjera në murin verior të rezervuarit, që ekspertët prisnin të shëmbej.


Nëse kjo do të ndodhte, ndotja toksike do të përhapet rreth 1 kilometër, duke përfshirë pjesë të qytetit Kolontar, i cili ndodhet më afër rezervuarit dhe që u godit më rëndë nga derdhja e 4 tetorit, e cila nuk arriti në qytetin tjetër më të afërt Devecser, në veri.
Në të njëjtën kohë, autoritetet e sektorit të shëndetsisë paralajmëruan popullatën lokale si dhe ekipet e ndërtimit e të pastrimit se sasia e pluhurit të mbetjes toksike i ka kaluar kufijtë e sigurisë, prandaj ata duhet të mbajnë maska mbrojtëse.


Pronarët e uzinës së metaleve, ku ndodhet rezervuari i dëmtuar, u shprehën ngushëllime familjeve të viktimave të shkaktuara nga derdhja toksike, madje shprehën keqardhje që nuk e bënë këtë më parë. Njëri prej pronarëve të uzinës në qytetin Ajka tha dje se ishte gati të paguante kompensime.

Disa prej banorëve të qytetit Ajka u shprehën me fjalë tepër kritike ndaj pronarëve të uzinës.
Një banor lokal tha se pronarët mbajnë përgjegjësi.
“Një uzinë e tillë duhet të kalojë nëpër një inspektim shumë më serioz. Dhe jo vetëm të kenë një roje që patrullon uzinën, por duhet të ketë inspektime të herë pas hershme dhe masat e duhura nga inxhinjerë të kualifikuar”.
Ja si u shpreh një banor tjetër:
"Ky është krim. Ata shkatërruan kaq shumë jetë njerzish edhe këtu në Ajka. Tani ne marrim frymë në mes të një tymi toksik, sidomos kur era fryn nga perëndimi".
Pjesë të qytetit Kolontar janë bërë të pabanueshme dhe mbi 700 banorë janë evakuar.

Rreth 6 mijë banorët e qytetit fqinj të Devecserit në veri të Kolontarit, u paralajmëruan nga policia që të bëhen gati për evakuim nëse do të jetë e nevojshme.

XS
SM
MD
LG