Lidhje

Vazhdojnë protestat në sheshin Tahrir të Kairos

  • Zëri Amerikës

Vazhdojnë protestat në sheshin Tahrir të Kairos

Vazhdojnë protestat në sheshin Tahrir të Kairos

Përleshje të reja shpërthyen sot në sheshin Tahrir të Kairos ku protestuesit vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e sundimtarëve ushtarak të vendit. Forcat egjiptiane të sigurisë hodhën gas lotsjellës ndaj turmës që i qëllonte me gurë. Të paktën një person është vrarë pasi u shtyp nga një makinë e sigurisë. Ndërkohë, udhëheqësit ushtarakë insistojnë se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen të hënën, siç ishin parashikuar.

Një kryeqytet i zhytur në dhunë vetëm pak ditë para zgjedhjeve të para demokratike, mund të mos jetë situatë ideale. Përplasjet e fundit filluan sot në mëngjes, kur egjiptianë të dëshpëruar protestuan duke kënduar në kor dhe duke sulmuar me gurë forcat e sigurisë. Policia u përgjigj duke përdorur gazin lotsjellës, për të shpërndarë turmën. Të paktën një person mbeti i vrarë dhe tre të tjerë u plagosën.

Ja si shprehet protestuesja Armani Salaha:

“Ne kemi vetëm një kërkesë: ne duam që këshilli ushtarak dhe ushtria të shkojnë në kazermat e tyre dhe të fillojnë të mbrojnë vendin. Këta nëntë muaj të fundit, ata kanë treguar se nuk janë të aftë për të udhëhequr Egjiptin. Në fakt ata kanë bërë çdo gjë gabim. Prandaj, për të mirën e vendit, ne po bëjmë thirje për ngritjen e një këshilli civil.”

Pas disa ditësh justifikime për dhunën, Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura të enjten ndryshoi qëndrim dhe kërkoi falje për vdekjet në rradhët e protestuesve. Por udhëheqësit theksuan se zgjedhjet do të zhvillohen të hënën, ashtu siç ishte parashikuar. Disa votues thonë se do të marrin pjesë në zgjedhje vetëm nëse kjo do të ndihmonte në përpararimin e vendit.

Ndërkohë, në Kairo me mijëra protestues dolën në rrugë për të mbështetur policinë dhe ushtrinë.

Mona Ahmed është protestuese në mbështetje të këshillit suprem ushtarak.

“Dua t’u them protestuesve në sheshin Tahrir se ne jemi të gjithë egjiptianë. Pse të mos biem dakord? Ushtria dhe policia janë ata që po mbrojnë egjiptianët.”

Profesori i Universitetit Amerikan në Kairo, Said Sadek, thotë se revolucionarët, pra ata kundër Këshillit ushtarak, janë më të pakët në numër se pala tjetër që përfshinë ushtrinë, islamistët e gardës së vjetër dhe ish pjesëmarrësit në qeverisjen e mëparshme, të cilët shpresojnë të ruajnë privilegjet e tyre.

“Pra, të gjitha këta elementë po luftojnë për të përfituar nga kjo situatë dhe askush nuk interesohet për të mirën e Egjiptit si shtet. Pas rënies së ish-udhëheqësit Mubarak, Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura nuk ka legjitimitet tjetër përveçse t’u bindet kërkesave të revolucionit. Prandaj ata duhet të veprojnë si pasojë e asaj që po ndodh.”

Shumë protestues e kritikuan Këshillin ushtarak edhe për emërimin si kryeministër i ri i vendit, të një zyrtari, i cili kishte shërbyer më parë nën udhëheqjen e zotit Mubarak.

XS
SM
MD
LG