Lidhje

Vazhdojnë reagimet për dhunën gjatë protestave të lëvizjes Vetëvendosje

  • Leonat Shehu

Vazhdojnë reagimet për dhunën gjatë protestave të lëvizjes Vetëvendosje

Vazhdojnë reagimet për dhunën gjatë protestave të lëvizjes Vetëvendosje

Avokati i Popullit e cilësoi sot të panevojshme, të paarsyeshme dhe të papërshtatshme përdorimin e dhunës gjatë protestave të së shtunës të lëvizjes Vetëvendosje. Në një komunikatë për opinion, avokati i popullit Sami Kurteshi, thekson se përveç në vendin e protestës, “dhuna është përdorur edhe gjatë transportimit të të arrestuarve, madje edhe në mjediset e policisë në praninë e përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, të cilët edhe janë kërcënuar dhe penguar në kryerjen e punëve të tyre. “Përgjithësisht, në fillim arrestimet janë bërë në mënyrë përzgjedhëse, me fokus të veçantë tek organizatorët, sidomos deputetët e Parlamentit të Kosovës, ndaj të cilëve është përdorur dhunë, e përcjellë me veprime degraduese dhe poshtëruese”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Kritika për përdorim të tepruar të forcës ka bërë edhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi tha se të gjitha shqetësimet do të shqyrtohen nga institucionet përkatëse.

“Unë do ti ndaja këto dy reagime. Ne e marrim shumë seriozisht në veçanti reagimin e Amnesty International dhe të Avokatit të Popullit. Ajo çfarë mund të them se kryeministri i Kosovës dje edhe njëherë ka dhënë mbështetje për policinë e Kosovës në kuptimin e vendosjes së rendit dhe ligjit dhe njëkohësisht ka kërkuar hetim në rast të shkeljeve ligjore që kanë mundur të jenë. Dhe kjo nuk nënkupton që në asnjë rast veprimet joligjore të dikujt justifikohen. Në anën tjetër, Avokatin e Popullit e respektojmë dhe besojmë që është mbrojtës i denjët i lirive dhe të drejtave të njeriut të qytetarëve. Ai duhet të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, kujtdo edhe qytetarëve që kanë qenë protestues edhe të policisë”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Ndërkohë, thirrje për hetime ka bërë edhe Organizata për Media të Evropës Juglindore me seli në Vjenë, SEEMO e cila ka reaguar për dhunën e ushtruar ndaj fotoreporterit Vedat Xhymshiti nga ana e policisë gjatë protestës së Vetëvendosjes. Zoti Xhymshiti kishte pajisje për fotografim në momentin kur është sulmuar dhe ishte e qartë se ishte fotoreporter. E të sulmosh atë është sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë, thuhet në reagimin e SEEMO-s.

Dhjetëra protestues dhe pjesëtarë të policisë së Kosovës janë lënduar ndërsa afro 150 veta janë arrestuar të shtunën gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë protestat e lëvizjes vetëvendosje që synonte bllokimin e vendkalimeve kufitare me Serbinë për të zbatuar masat e ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë.

Udhëheqësit e kësaj lëvizjeje akuzuan qeverinë për moszbatim të vendimeve të Parlamentit dhe favorizim të Serbisë. Deputeti i Parlamentit të Kosovës nga kjo lëvizje Rexhep Selimi tha sot se ndërhyrja ishte tepër e dhunshme dhe tërësisht e panevojshme.

“Po ashtu edhe deklarimi i Ministrit të Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi që forca e përdorur mbi protestuesit ishte forcë minimale, len të shtrohet një pyetje shumë e logjikshme se cila do të jetë forca maksimale e dorës së hekurt të kësaj qeverie mbi qytetarët e saj”, tha zoti Selimi.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar për 22 janar protesta të reja pavarësisht se ato nuk ishin mbështetur as nga partitë tjera opozitare, ndërsa ishin cilësuar të dëmshme nga diplomatët perëndimorë në Prishtinë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi tha sot se Vetëvendosje duhet të punojë brenda institucioneve e jo në rrugë.

“Vetëvendosjen e ftojmë që zgjidhjen ta bëjmë në institucionet e Republikës së Kosovës. Nëse institucion për ta është pak ma telashe që të vijnë në qeveri, e ftojmë që çdo mekanizëm në Kuvendin e Kosovës ta shfrytëzojë në mënyrë demokratike, ne jemi ata që i përgjigjemi edhe ligjit edhe Kuvendit për të gjitha veprimet tona. Por, askush nuk mund ta merr legjitimitetin në dorën e vet kundër ligjit, në emër të mbrojtjes së ligjit”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

“Është vetëm një vendim i cili do ta anuloj protestën e 22 janarit, është vendimi dhe nisja nga ana e qeverisë, zbatimin e masave të reciprocitetit. Asnjë negociatë tjetër apo akt tjetër nuk mund të ndalojë këtë gjë, për shkak se ne jemi të vendosur që ta zbatojmë vendimin e Kuvendit të Kosovës dhe këtë vendim ne nuk do ta negociojmë me askënd”, tha deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Autoritetet paralajmëruan mundësinë që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga pas kthimit nga një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe t’i ftojë të gjitha partitë parlamentare dhe jo parlamentare për të hapur siç thuhet dialogun për zhvillimet e fundit politike në vend dhe shmangien e tensioneve politike që pasuan ngjarjet e së shtunës.

XS
SM
MD
LG