Lidhje

Vazhdojnë shqetësimet mbi gjendjen e ekonomisë në Evropë


Vazhdojnë shqetësimet mbi gjendjen e ekonomisë në Evropë
Vazhdojnë shqetësimet mbi gjendjen e ekonomisë në Evropë

Udhëheqësit e Greqisë, Francës dhe Gjermanisë po mbajnë një konferencë telefonike për të diskutuar mbi mënyrat për ta kontrolluar krizën e borxheve në Evropë.

Greqia ka shumë borxhe dhe ishte vendi i parë në Bashkimin Evropian që kërkoi ndihmë ndërkombëtare nga ekonomitë më të fuqishme evropiane si Gjermania dhe Franca. Tani udhëheqësit e këtyre dy vendeve, Sarkozi dhe Merkel, po përpiqen të gjejnë mënyra se si ta ndihmojnë Greqinë të shpëtojë nga falimentimi, duke e nxitur kryeministrin grek Papandreu ta zbatojë planin e masave të ashpëra qeveritare dhe pakësimin e borxhit.

Por disa analistë financiarë druhen se ndihma ndërkombëtare, e kombinuar me masat e ashpëra qeveritare, nuk do të jenë të mjaftueshme për ta nxjerrë Athinën nga kriza dhe për të shmangur mospagimin e borxheve.

Në Washington, Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zollik, paralajmëroi se ekonomia botërore ka hyrë në një zonë të re të rrezikshme për shkak të borxhit të vendeve evropiane. Ai fajësoi rëndë për këtë 17 vendet e Eurozonës që përdorin të njëjtën monedhë, dhe në anën tjetër lejojnë secilin nga vendet të përcaktojë vetë politikat e shpenzimeve dhe ato fiskale.

Ekzistojnë shqetësime se ndihma ndërkombëtare dhe masat shtrënguese të qeverisë grekei, nuk do të jenë të mjaftueshme për ta nxjerrë nga kriza Greqinë dhe për të shmangur falimentimin, ose mospagimin e borxheve nga ana e saj.

Sot më vonë, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi do të zhvillojnë një telekonferencë trepalëshe me kryeministrin grek Jorgos Papandreu, ku do t’i kërkojnë Athinës të respektojë premtimet saj për shkurtime të mëdha në këmbim ndihmës së madhe financiare nga Evropa.

Para bisedimeve të kancelares gjermane dhe presidentit francez me kryeministrin grek, tregjet e aksioneve në Greqi u rriten më si rezultat i shpresës se bisedimet e sotme mund të sjellin rezultat pozitiv.

Ekonomisti grek Vangelist Agapitos thotë se tregjet janë në pritje të rezultateve dhe jo thjesht të përpjekjeve për të zgjidhur krizën.

“Tregjet presin të shohin rezultate, e jo përpjekje. Politikanët mund të përqëndrohen në përpjekje, mund të presin për një këndvështrim afatgjatë. Por tregjet duan rezultate dhe rezultatet mungojnë. Ne kemi një recesion që po thellohet, shpenzimet po rriten dhe të ardhurat po bien në krahasim me vitin e kaluar”.

Greqia varet nga ndihma financiare e vitit të kaluar që kap vlerën 110 miliard eurove për të paguar borxhet e saj dhe për të paguar rrogat dhe pensionet. Por fondet mund të ndërpriten nëse vendi nuk zbaton reformat strikte që janë kusht për marrjen e ndihmës financiare. Në Greqi ndërkohë vazhdojnë grevat dhe protestat ndaj masave shtrënguese të qeverisë.

Po sot duke iu drejtuar parlamentit evropian në Strasburg të Francës Presidenti i Komisionit Evropian Zhoze Manuel Barrozo tha se në pikëpyetje është vënë vetë integrimi evropian.

“Kjo është një luftë për vende pune dhe begatinë e familjeve në të gjitha shtetet tona anëtare. Kjo është një luftë për të ardhmen ekonomike dhe politike të Evropës. Ne po luftojmë për atë që përfaqëson Evropa në botë. Kjo është një luftë për vetë integrimin evropian”.


Zoti Barroso u përpoq t’u kundërvihej skeptikëve që thonë se kriza do të thotë fund i ëndrrave për integrim, duke këmbëngulur se Evropa ka anevojë për një impuls i ri, unifikues dhe një moment të ri federalist, siç u shpreh ai. Presidenti i komisionit Evropian tha gjithashtu se së shpejti Komisioni do të paraqesë alternativa për futjen në treg të bonove në euro.

Problemet e borxheve nuk kanë prekur vetëm Greqinë. Në Itali, parlamenti miratoi masat shtrënguese të qeverisë që kanë për qëllim daljen nga kriza finaciare. Ekonomia e Italisë është e treta në Evropë për nga madhësia.

Këtu në Shtetet e Bashkuara Sekretari amerikan i Thesarit Timothy Geithner tha sot se ai ka besim se kancelarja gjermane Angela Merkel dhe udhëheqësit e tjerë europiane do të bëjnë çfarë është e nevojshme për t’u siguruar që institucionet e tyre të mëdha financiare nuk do të jenë në rrezik.

XS
SM
MD
LG