Lidhje

Vazhdojnë shqetësimet për ekonominë evropiane

  • Zëri Amerikës

Vazhdojnë shqetësimet për ekonominë evropiane

Vazhdojnë shqetësimet për ekonominë evropiane

Çmimet e aksioneve ranë përsëri ndjeshëm sot, pasi shumë tregje ranë në negativ për këtë vit, pas një prej ditëve më të rënda në Wall Street, që prej falimentimit të kompanisë amerikane Lehman Brothers në vitin 2008. Tregjet aziatike e rimorën veten për pak, ndërsa tregjet në Evropë u hapën në territor pozitiv. Por kjo nuk zgjati shumë, pasi investitorët shqetësohen rreth pasojave të uljes së klasifikimit të kreditit në Shtetet e Bashkuara, krizën e borxheve të Evropës dhe parashikimet në rritje për një recesion global.

Deri në mesditë, indeksi DAX i Gjermanisë kishte rënë me më shumë se 5 për qind dhe indeksi CAC-40 në Francë kishte rënë me 3,4 për qind.

"Do të ishte mirë që të gjithë politikanët, veçanërisht ata të Eurozonës të dërgoheshin në të njëjtën pikë pushimi", thotë Robert Halver, i Bankës Baader në Frankfurt, ndërsa shtohet pakënaqësia ndaj udhëheqësve evropianë.

Edhe vlera e indeksit krysor në Britani ra me 3,6 për qind. Ndërkohë, Banka Qendrore Evropiane ndërmori masa për të parandaluar një katastrofë të menjëhershme ekonomike në Itali dhe Spanjë. Kjo u pasqyrua sot edhe në përgjigjen e tregjeve dhe të shkallës së interesit në vendet e Eurozonës.

Shkalla e interesit për bondet 10 vjeçare të Spanjës ra nën 5 për qind, pasi arriti në 6,5 për qind para një jave. Në Itali, kjo shifër ishte 5,1 për qind, gjithashtu më shumë se 1 për qind më e ulët para ndërhyrjes së Bankës Qendrore Evropiane.

Greqia nga ana e saj ka ndaluar për dy muaj shitjet në afat të shkurtër të aksioneve, duke filluar nga sot, pasi vlerave e aksioneve në tregun e Athinës ra dje në nivelin më të ulët në 14 vjet. Indeksi i aksioneve të Greqisë ra dje 6 për qind, niveli më i ulët që nga janari i vitit 1997.

Në Athinë, Leonidas Stergiou, analist ekonomik dhe kryeredaktor i gazetës Kathimerini, tha se problemet e Greqisë kanë dy burime:

"Nga njëra anë janë problemet në Shtetet e Bashxkuara dhe në anën tjetër janë problemet e deficitit në vendet e eurozonës".

Greqia u shpëtua nga falimentimi vitin e kaluar me anë të një pakete ndihmash prej 110 miliardë eurosh nga partnerët evropianë dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, madje që prej atëhere ai vend ka marrë edhe një paketë të dytë ndihmash.

XS
SM
MD
LG