Lidhje

Vazhdojnë sulmet kundër ISIS


Sulmet ajrore të kryera nga forcat e drejtuara nga Shtetet e Bashkuara kanë goditur sot objektiva të Shtetit Islamik në Siri.

Komanda Qendrore Amerikane tha se avionët e ushtrisë dhe marinës amerikane u përdorën në sulme me pjesëmarrjen nga Arabia Saudite, Jordani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani dhe Partia Unioni Demokratik për Kurdistanin thanë se sulmet goditën objektiva në provincën Aleppo pranë Kobanit. Ky qytet ka qënë qendër e disa ditë luftimesh dhe nuk ka njoftime të menjëhershme për viktima.

Dhjetra mijëra refugjatë janë larguar nga zona përreth Kobanit në Turqi për t’i shpëtuar dhunës, ndërsa qindra luftëtarë kurd kanë kaluar nga Turqia në Siri për t’ju bashkuar luftimeve.

Në Irak, Britania kreu misionin e parë luftarak por ministria e Mbrojtjes tha se nuk kishte objektiva që kërkonin sulm të menjëhershëm. Dy avionë luftarakë u nisën nga Qiproja për të kryer misionin e tyre mbi Irak.

Britania, Danimarka dhe Belgjika kanë kryer sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Irak, por jo në Siri, ku koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara filloi sulmet të martën.

Pas njoftimit dje nga Britania se do të kryente sulme ajrore kundër grupit ISIS në Irak, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest u shpreh:

"Ne sigurisht e mirëpresim votimin e fundit në parlamentin britanik që tregon mbështetje më të fortë të tyre për planin që Presidenti Obama ka propozuar për përballjen e kërcënimit që paraqet grupi ISIL."

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se këtë javë ishin kryer më shumë se 200 sulme ajrore në Irak dhe 43 në Siri. SHBA-ja thotë se fushata e saj ushtarake është një strategji e përqëndruar në Irak, por jo një strategji vetëm për në Irak.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Martin Dempsey tha se sulmet në Siri u tregojnë luftëtarëve të Shtetit Islamik se për ta nuk ka asnjë strehë të sigurtë:

"Veprimet tona të shënjestruara kanë dëmtuar komandën dhe kontrollin e ISIL-it, aftësitë e tyre logjistike dhe infrastrukturën e tyre, në Siri. Ndërsa në Irak, ne jemi duke fuqizuar partnerët tanë irakianë për të kaluar sërish në ofensivë. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë, të udhëheqim dhe të sigurojmë vazhdimësinë e një koalicioni të besueshëm që të përfshijë – më e rëndësishmja – shtete arabe që krijojnë bazën për një fushatë më të gjerë ndërkombëtare kundër ISIL-it," tha ai.

Duke folur dje para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti i Irakut Fouad Massoum vlerësoi përpjekjet e koalicionit për të ndihmuar luftën e vendit të tij kundër ISIL-it:

"Mbështetja e madhe humanitare dhe ushtarake që kemi marrë nga organizatat e OKB-së, Shtetet e Bashkuara, shtetet e Bashkimit Evropian dhe vende të tjera mike ka luajtur një rol jetik për të na ndihmuar në përballimin e këtij grupi. Kjo mbështetje i ka konfirmuar popullit tonë se ne nuk po e luftojmë terrorin të vetëm dhe këtu unë do të doja të shprehja vlerësimin dhe mirënjohjen e popullit të Irakut."

Rusia i kritikoi sulmet ajrore të koalicionit kundër militantëve në Siri, duke thënë se sulmet shkelin të drejtën ndërkombëtare, sepse koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja nuk ka marrë leje nga Damasku.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se nuk do të ketë koordinim me presidentin sirian Bashar al-Asad për shkak se regjimi i tij ka humbur të gjithë legjitimitetin për të qeverisur.

XS
SM
MD
LG