Lidhje

Vazhdojnë vështirësitë e të evakuuarve nga uzinat bërthamore në Japoni

  • Henri Ridxhuell

Vazhdojnë vështirësitë e të evakuuarve nga uzinat bërthamore në Japoni

Vazhdojnë vështirësitë e të evakuuarve nga uzinat bërthamore në Japoni

Në një fjalim televiziv drejtuar vendit, kryeministri i Japonisë Naoto Kan tha se evakuimi i banorëve nga zonat rreth uzinës bërthamore në Fukushima do të jetë një plan afatgjatë. Rreth 70 mijë njerëz janë evakuuar nga vendbanimet pranë uzinës bërthamore. Shumica e popullsisë së qytetit Futaba janë evakuuar në një stadium të madh në periferi të kryeqytetit të vendit Tokio. Tani ata do të dërgohen në një strehimore tjetër.

Evakuimi i gjithë popullsisë së një qyteti nuk është punë e lehtë. Për një mijë e dyqind banorët e qytetit Futaba që ndodhet afër uzinës bërthmore të Fukushimës, stadiumi Saitama ka qenë shtëpia e tyre në dy javët e kaluara. Ky objekt nuk i ngjan aspak një shtëpie. Zakonisht këtu vijnë grupe muzikore dhe adhuruesit e tyre.

Të evakuuarit e Futabas kanë filluar të shqetësohen për të ardhmen e tyre.

“Është e vështirë. Por, të gjithë janë kujdesur shumë mirë për ne. I falenderojmë. Nuk e di se kur mund të shkojmë në shtëpi...shpresoj së shpejti. Për këtë mendoj gjatë gjithë kohës.”

Askush nuk e di se kur do të kthehen në shtepitë e tyre banorët e Futabas. Niveli i lartë i radioaktivitetit gjendet përtej rrezes 20 kilometërshe të zonës së evakuuimit. Ende nuk dihet ndikimi i plotë i rrjedhjes radioaktive në mjedisin përreth. Por disa analistë druhen se rajoni rreth uzinës së Fukushimës mund të mbetet i rrezikshëm për muaj e ndoshta vite. Mijëra vullnetarë kanë shkuar në Stadiumin Saitama. Janë grumbulluar donacione me ushqime dhe batanije. Të rinjtë që janë në pushimet e pranverës, kanë ardhur të ndihmojnë të evakuuarit.

“Kam ardhur këtu për të bërë aq sa mundem. Ndjeva se duhet të ndihmoja.”

Artistë të ndryshëm përpiqen t’i argëtojnë fëmijët dhe të rriturit. Yoshige Tadashii erdhi këtu tre ditë më parë me banxhon.

“Më vjen shumë keq për këta njerëz. Dua t’i argëtoj dhe t’i bëj të qeshin.”

Por vështirësitë e të evakuuarëve vazhdojnë.

Menaxherët e stadiumit duan ta shfrytëzojnë atë për koncertet dhe spektaklet e ardhshme.

Kështuqë të evakuuarit duhet të levizin përsëri. Ata do të transportohen në një shkollë të mbyllur rreth një orë në veri të stadiumit. Për shumicën e njërzve nga Futuba, kjo është hera e tretë që janë detyruar të ndryshojnë strehimin e tyre. Për 12 vjeçaren Aya Nakai kjo përbën një vështirësi tjetër.

“Jam e dëshpëruar. Kam krijuar miqësi me vullnetarët këtu në Saitama. Tani duhet të largohem. Dua të shkoj në shtëpi.”

Aya dhe familja e saj pastaj hynë në një autobus i cili do t’i çojë ata dhe mijëra të tjerë në një tjetër strehë.

Vullnetarët kanë ardhur për t’i dhënë atyre lamtumirën e fundit. Pankartat e tyre kanë mesazhe të thjeshta: “ E duam Fukushimën” dhe “ Miq të Futabas, mirupafshim.”Për të gjithë, kjo është një përshendetje emocionale. Banorët e Futabas largohen në drejtim të një pjese të panjohur të Japonisë dhe e ardhmja e tyre është e paqartë...

XS
SM
MD
LG