Lidhje

Vazhdon bllokada në veriun e Kosovës, mosmarrëveshje edhe për lëvizjen e mallrave

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Vazhdon bllokada në veriun e Kosovës, mosmarrëveshje edhe për lëvizjen e mallrave

Vazhdon bllokada në veriun e Kosovës, mosmarrëveshje edhe për lëvizjen e mallrave

Gjendja në veriun e Kosovës mbetet e pandryshuar sikurse edhe vlerësimet e autoriteteve të sigurisë të cilët thonë se situata është e qetë por me tensione. Të gjitha rrugët në atë pjesë po mbahen të bllokuara nga protestuesit serbë që nuk pajtohen me vendosjen e doganierëve dhe policisë kufitare të Kosovës dhe EULEX-it në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Forcat e NATO-s, sot kanë hapur pjesërisht vendkalimin në Bernjak, por ai vazhdon të mbetet jashtë funksionit për shkak të barrikadave. Serbët në veri refuzuan thirrjet e KFOR-it dhe të EULEX-it për mënjanimin e bllokadave.

Zyrtarë të Beogradit thanë se ende po presin një përgjigje nga Bashkimi Evropian të cilit i është dërguar një plan për vendkalimet kufitare në veri në të cilin parashihet që të mos ketë prani të personelit shqiptar, dhe duke kërkuar që çështja e vendkalimeve të jetë pjesë e raundit të ri të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Por kërkesat e tilla janë hedhur poshtë nga Prishtina e cila çështjen e vendkalimeve kufitare e quan të mbyllur me marrëveshjen për vulat doganore.

Autoritetet në Prishtinë akuzuan Beogradin se nuk po përmbushë detyrimet që dalin nga marrëveshja e arritur me 2 shtator me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Që nga e premtja, autoritetet e Prishtinës lejuan importimin e mallrave nga Serbia, i cili qe ndaluar më 20 korrik. Ndërkaq, autoritetet serbe nuk po lejojnë kalimin e mallrave të Kosovës në Serbi. Disa maune që gjatë natës ishin lejuar të hyjnë në Serbi janë kthyer mbrapa sot në mëngjes.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari Lila, njëherësh ministre e tregtisë dhe industrisë, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se shumë shpejt mund të priten kundërmasa nga Prishtina zyrtare.

“Kjo shumë shpejt, do të nënkupton disa ditë derisa të sqarohen të gjitha paqartësitë që janë krijuar në opinion. Duhet të themi se pala serbe në vazhdimësi ka plasuar informata të paqëndrueshme, gjegjësisht ato se ata janë duke e zbatuar marrëveshjen, por është duke u dhënë kohë për dokumentimin e mos zbatimit të marrëveshjes nga pala serbe. Ne dje i kemi dërguar një letër kryenegociatorit Robert Cooper, zëvendës ndihmës sekretarit të shtetit Philip Reeker dhe përfaqësive të tyre në Prishtinë, ndërsa sot kemi përcjell një letër tjetër në të cilën kemi dokumentuar edhe këtë shkeljen e fundit e cila është bërë nga Serbia me pranimin dhe pastaj dëbimin e kamionëve nga Kosova”, tha zonja Kusari Lila

Ajo hodhi poshtë çdo mundësi që çështja e vendkalimeve kufitare të jetë pjesë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që pritet të vazhdojnë në fund të këtij muaji në Bruksel.

“Pala kosovare nuk kthehet prapë për të biseduar për të njëjtën temë e as për të negociuar për pikat doganore ose për prezencën e doganierëve në pikat kufitare, prandaj ne shpresojmë që do të ketë ndryshim të qëndrimit të autoriteteve serbe në kuadër të vendimit të tyre për mos zbatim të marrëveshjes, në të kundërtën ne do të shkojmë në reciprocitet”, tha zonja Kusari Lila.

Më 2 shtator Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje lidhur me përdorimin e vulave doganore, por zbatimi i marrëveshjes shihet në mënyra krejt të ndryshme nga palët. Për qeverinë e Kosovës dhe praninë ndërkombëtare kjo nënkupton funksionalizimin e doganave në tërë Kosovën, ndërsa Beogradi thekson se njohja e vulave nuk nënkupton edhe vendosjen e doganierëve të Kosovës në veri, e as eksportet nga Kosova për në Serbi që shoqërohen me dokumente që mbajnë shenja të Republikës së Kosovës, të cilën Serbia vazhdon të mos e njohë.

XS
SM
MD
LG