Lidhje

Vazhdon dhuna në Britani


Vazhdon dhuna në Britani
Vazhdon dhuna në Britani

Kryeministri britanik David Kameron tha të martën se 16 mijë policë do të jenë në Londër për të mbrojtur kryeqytetin nga protestuesit. Njoftimi erdhi pas tre ditë demonstratash të dhunshme në kryeqytet. Por nga trazirat nuk është prekur vetëm Londra.

Sivaharan Kandiah është pronar i një dyqani në lagjen Hekni në veri të Londrës. Biznesi i tij u plaçkit të hënën në mbrëmje kur trazirat përfshinë atë zonë. Ai thotë se e pa ngjarjen teksa zhvillohej përmes televizorit.


“11 vjet pune ikën pa hapur e mbyllur sytë. Punoj 80, apo 90 orë në javë dhe çdo gjë u zhduk për dy orë. ”

Dyqani i Kandias është një nga shumë që u plaçkitën në valën e trazirave që kanë vazhduar për katër netë me radhë.

Ato filluan të shtunën me një demonstratë paqësore për të shënuar vdekjen e një 29 vjecari që thuhet se u qëllua nga policia.

Demonstrata u kthye në dhunë në veri të Londrës. Qysh atëherë trazirat kanë përfshirë mbarë Londrën dhe përtej kryeqytetit në vende si Birmingham dhe Liverpuli.

Protestuesit kanë thyer xhama dhe shkatërruar dyqane, kanë sulmuar autobuzë dhe u kanë vënë zjarrin ndërtesave dhe makinave.

Kryeministri Dejvid Kameron u kthye nga pushimet për t’u marrë me krizën. Ai thirri parlamentin nga pushimet verore dhe tha se Londra do të dislokojë mijëra oficerë policie shtesë në se vazhdojnë trazirat.

Ky ishte lajm i mirë për disa banorë në Hekni. Shumë i thanë Zërit të Amerikës se policia nuk kishte bërë sa duhet për të mbrojtur zonën.

Banorja Basani Mabyalane përshkruan shqetësimin që ndjen për vete dhe për fëmijët e saj.

“Isha shumë e frikësuar. Ndjehesha e pashpresë. Pashë në televizor se policia po bënte atë që mundte për të zgjidhur situatën por pashë se ajo ishte shumë e rëndë për ta. U ndjeva e frikësuar pasi pashë se njerëzit që supozohet të më ndihmojnë mua ishin të pafuqishëm dhe të paktë në numër.”

Adoleshenti Shine thotë se shumë njerëz kishin qënë të frikësuar.

“Shumë nga banorët në këto zona mbyllën dyer pasi ishte shumë e rrezikshme me zjarrin dhe makinat që po shpërthenin.”

Anëtarja e Parlamentit për Heknin, Dajen Ebët, ishte aty të martën për të folur me zgjedhësit.

Ajo i tha Zërit të Amerikës se ndalim-qarkullimi mund të jetë mënyra më e mirë për të kontrolluar situatën.

Ajo tha se ka të tjera shkaqe për trazirat, të cilat janë pjesërisht sociale dhe ekonomike.


“Nuk ka dyshim se ka një segment të të rinjve që ndjejnë se nuk kanë absolutisht asnjë në këtë shoqëri dhe ata po shohin gjithashtu zhdukjen e kapitalit social në komunitetet e tyre.”


Policia thotë se ka arrestuar më shumë se 500 njerëz që kur filluan protestat.

XS
SM
MD
LG