Lidhje

Vazhdon dhuna në Siri, sot të paktën 22 të vrarë , shumica civilë

  • Zëri Amerikës

Dhuna vazhdon në mbarë Sirinë ku sot u vranë të paktën 22 vetë, shumica civilë – ndërsa udhëheqësit arabë u takuan në Bagdat për një takim të nivelit të lartë që synon zgjidhjen e krizës një vjeçare.

Aktivistët sirianë thanë se forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad ndërmorrën sulme mbi pozicionet e opozitës në qendër të vendit.

Udhëheqësit arabë po diskutojnë për një përgjigje të krizës siriane në takimin e Bagdatit – i pari takim i nivelit të lartë që mbahet nga Lidhja Arabe në kryeqytetin irakian që nga ndërhyrja e Irakut në Kuvajt në vitin 1990.

Një raketë shpërtheu pranë Zonës së Gjelbërt ku po zhvillohet takimi. Autoritetet thane se shpërthimi ndodhi pranë ambasadës iraniane por nuk shkaktoi viktima.

Udhëheqësit pritet të miratojnë një rezolutë ku i bëhet thirrje qeverisë siriane dhe opozitës të zbatojnë një plan të paqes të hartuar nga i dërguari i posaçëm Kofi Annan. Plani u bën thirrje të dyja palëve të fillojnë një armëpushim dhe një dialog por nuk i bën thirrje zotit Assad të largohet si pjesë e një tranzicioni politik.

Më parë udhëheqësit arabë kishin bërë thirrje që presidenti sirian të dorëzonte pushtetin tek një zëvendësues që do të drejtonte tranzicionin, por tani ata duket se janë tërhequr nga kjo kërkesë.

Qeveria e zotit Assad pranoi zyrtarisht nismën e zotit Annan në fillim të javës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se është shumë e rëndësishme për presidentin sirian të verë menjëherë në zbatim këto angazhime.

XS
SM
MD
LG