Lidhje

Vazhdon greva e punonjësve të sektori publik në Athinë

  • Zëri Amerikës

Vazhdon greva e punonjësve të sektori publik në Athinë

Vazhdon greva e punonjësve të sektori publik në Athinë

Grevat e sektorit publik sot kanë paralizuar sistemin e transportit në Athinë për të dytën ditë me radhë, ndërkohë që punonjësit reagonin kundër masave shtrënguese të qeverisë.
Shërbimet e trenave dhe udhëtimet me tramvajë janë pezulluar, ndërkohë që tragetet nuk kanë lëvizur nga porti i Pireut.

Slloganet e protestave janë vendosur në Akropolis nga një sindikatë e punëtorëve e mbështetur nga komunistët. Gjashtë ministra kanë dhënë dorëheqjen nga koalicioni qeverisës ndërkohë që kriza politike në Greqi vazhdon të thellohet.

“Ky është realiteti. Kjo është përgjegjësia jonë. Ju bëj thirrje ta merrni me seriozitet këtë çështje. Jam i sigurt se ne do ta kuptojmë përgjegjësinë tonë historike para nesh. Edhe një herë ne do të marrim vendime për hir të vendit,” tha udhëheqësi i Partisë Socialiste Jorgos Papandreu.

Presidenti i njërës nga sindikatat më të mëdha të punëtorëve paralajmëroi sot se kriza do të intensifikohet.

“Dorëheqjet janë pasqyrim i krizës”, tha Yiannis Panagopoulos.

Pesëdhjetë e dy vjeçari Petros Christodolou, banor i Athinës, shprehu dëshpërimin e tij me mënyrën se si Gjermania po merr vendime lidhur me krizën e borxheve greke.

“Nëse ju pëlqen Merkel dhe Sarkozi, atëherë ne jemi mirë. Këtë qëndrim ka qeveria e tanishme greke”, u shpreh me zemërim zoti Christodolou.

Koalicioni qeveritar ka premtuar se do të miratojë masat e ashpëra shtrënguese që janë pjesë e kushteve për paketën financiare prej 130 miliardë eurosh.

Greqia ka premtuar se do të miratojë këto masa në një takim urgjent të dielën, pavarësisht nga pakënaqësitë e thella të publikut.

Shkurtimet përfshijnë uljen e pagës minimale me 22 përqind dhe planet për pushimin nga puna të 15 mijë punonjësve civil në vitin 2012, në një kohë kur niveli i papunësisë është mbi 20 përqind dhe ekonomi është në recesion në vitin e pestë me radhë.

XS
SM
MD
LG