Lidhje

Vazhdon hetimi për sjelljet e pahijshme në shërbimin sekret amerikan


Vazhdon hetimi lidhur me sjelljet e pahijshme të disa pjestarëve të shërbimit sekret amerikan që shoqëronin Presidentin Barak Obama gjatë vizitës së tij në Kolumbi. Hetuesit po thellohen për të parë se çfarë fshihet më tej në incidentin ku janë përfshirë agjentë të shërbimit sekret, ushtarakë dhe prostituta.

Hetimet e shërbimit sekret për të gjetur me saktësi se çfarë fshihet pas bëmave të agjentëve të tij në Kolumbi po thellohen, por po rritet njëkohësisht edhe zemërimi në Kongres. Agjencia e shërbimit sekret thotë tani se njëri prej agjentëve të saj ka dhënë dorëheqjen, një tjetër është tërhequr dhe një i tretë është propozuar për shkarkim. Disa që janë marrë në pyetje janë përpjekur të justifikojnë sjelljet e tyre.

"Disa e mohojnë se fjala është për prostituta por thjesht thonë se janë takuar rastësisht me disa gra. Kjo shkel të gjithë rregullat," tha kongresmeni Peter King.

Zyrtarë amerikanë kanë shkuar në Kartagjenë të Kolumbisë për hetime në klubet e natës dhe për të mbledhur videot e vëzhgimit në hotel.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Peter King:

"Kur fton dikë në hotel në Kolumbi, duhet t’i tregosh personelit të shërbimit kartën e identitetit."

Sipas disa burimeve, shumë nga prostitutat e përfshira janë identifikuar dhe do të pyeten. Pentagoni thotë se po pyet 10 ose më shumë ushtarakë nga të gjitha shërbimet e ushtrisë që mund të jenë përfshirë. Në Kongres, ligjvënësit po kërkojnë përgjigje:

"A jo që ka ndodhur është një turp. Me sa di po vazhdojnë hetimet, si nga Pentagoni edhe nga Shërbimi Sekret. Shpresoj që ata t’i shkojnë deri në fund shumë shpejt," tha John Boehner, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Disa thonë se ky skandal ishte një rrezik për sigurinë kombëtare.

Senatore Susan Collins u shpreh:

"Me sa kuptoj, këtu ishin përfshirë 20-21 gra. Ato mund të jenë nga kartelet e drogës ose agjente që mund të kenë vënë aparate përgjimi."

Nga ana e tij, kandidati republikan për president Mitt Romney, tha se ai do të vinte rregull në shërbimin sekret. Këta agjentë, tha ai, vunë qejfin përpara interesit të vendit.

Të enjten e kaluar, para se Presidenti Obama të arrinte në Kolumbi, disa agjentë amerikanë sollën prostituta në një hotel buzë detit afër vendit ku do të qëndronte presidenti. Incidenti u zbulua pas një zënke mes një agjenti dhe njërës prej prostitutave.

XS
SM
MD
LG