Lidhje

Vazhdon jehona e marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale


Vazhdon jehona e marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale
Vazhdon jehona e marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale

Në Kosovë vazhdon jehona e marrëveshjes së djeshme për përfaqësimin e Kosovës në Forumet rajonale. Opozita këtë e sheh si kompromis në dëm të shtetësisë së Kosovës, ndërsa qeveria dhe diplomatët perëndimore thanë se ky pajtim ishte zgjidhja më e mirë e mundshme e cila i siguron Kosovës përfaqësim të barabartë dhe përshpejtim të rrugës evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha pak pas arritjes së marrëveshjes se nuk do të pranonte asnjë marrëveshje që nuk e fuqizon shtetësinë e Kosovës.

“Kosova ka qenë Republikë edhe dje, kur në këto forume rajonale është përfaqësuar nga UNMIK-u dhe me mbishkrimin nën rezolutën 1244 dhe do të vazhdoj të jetë Republikë edhe sot. Tash e tutje, nga sot do të përfaqësohet nga institucionet e saj nga njerëzit e zgjedhur, por dallimi është se UNMIK-u nuk do të jetë në tavolinën ku është Kosova, do të jenë përfaqësuesit legjitimë të institucioneve të Republikës së Kosovës. Nuk do të jetë UNMIK-u, por do të kemi fusnotë ta balancuar që e prezanton opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për deklaratën e 17 shkurtit 2008, deklaratën e Kosovës së pavarur dhe sovrane”, tha kryeministri Thaçi.

Në Beograd thonë ndryshe. Shefi i delegacionit të Serbisë Borisllav Stefanovic ka deklaruar se Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës por përkundrazi, i ka dhënë jetë Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai u tha mjeteve serbe te informimit se kjo marrëveshje nuk është e përkohshme dhe shënimi në emrin e Kosovës nuk do të shkrihet siç ka thënë shefja e delegacionit të Kosovës Edita Tahiri.

“Nëse dikush mendon se shënimi do të shkrihet mashtrohet fort. Dhe nëse po përdoren metafora dimërore, atëherë më duhet të them se dimri i pakënaqësisë së tyre nuk do të kalojë, sepse ky shënim nuk do të skadojë”, tha Borisllav Stefanovic, duke nënvizuar se gabohen ata që mendojnë se kjo marrëveshje do të shtoj njohjet për pavarësinë e Kosovës të cilën Serbia vazhdon ta kundërshtojë.

Kundërshtarët e marrëveshjes në Kosovë thonë se ajo e dëmton shtetësinë e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë për të hënën kundër marrëveshjes që sipas udhëheqësit të saj Albin Kurti e bën Kosovën me status të papërcaktuar.

“Kjo marrëveshje nuk ka të bëjë vetëm me përfaqësimin por edhe me bashkëpunimin rajonal. Pra, Republika e Kosovës kësisoj privatizohet. Atë mund t’ia shfaqim vetes sonë por jo edhe të tjerëve. Jemi Republikë vetë-me-veti. Mirëpo, kjo është saktësisht e kundërta e konceptit të Republikës”, tha zoti Kurti.

Kjo lëvizje ka filluar aksionin e mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve për ta hedhur ne debat parlamentar këtë çështje. Ky aksion pasoi refuzimin e partive tjera opozitare për të mbështetur nismën e Vetëvendosjes për debat parlamentar.

Kryeministri Thaci tha se Kosova përfiton nga kjo marrëveshje.

“Dhe nuk po flas këtu vetëm për liberalizimin e vizave apo marrëveshjen tregtare, por për një proces të ri, procesin e stabilizim asociimit që është hapi i parë zyrtar në procesin e anëtarësimit të shtetit të Kosovës në familjen e madhe Evropiane”, tha kryeministri Thaçi.

Por, analisti Shpend Kursani nga instituti KIPRED, thotë se përfitimet janë të pakta në krahasim me kompromisin i cili ishte i panevojshëm për...

“Lidhja kontraktuale me Bashkimin Evropian nuk mund të bëhet pa u njohur nga pesë shtetet e BE-së, atëherë në qoftë se pesë shtetet e BE-së nuk e njohin si Republikë e Kosovës, mund të bësh sa të duash kompromise por ato nuk të njohin. Shtrohet pyetja se a mund ato që të njohin Kosovën me rezolutën 1244, këtu është dilema. Në qoftë se të njeh me këtë fusnotë dhe në qoftë se nesër Spanja nënshkruan marrëdhënie me Kosovën atëherë i bien që në mënyrë indirekte e ka njohur Kosovën. Është pyetja se a do ta bëjë Spanja atë. Kosova e ka bërë këtë kompromis pa marr garanci se Spanja dhe katër shtete tjera do ta njohin”, tha analisti Kursani.

Marrëveshja ndërkaq është mbështetur nga diplomacia perëndimore në Prishtinë e cila vlerësoi se në këtë mënyrë Kosova është afruar më shumë me integrimet evropiane. Sot përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar tha nëpërmjet një komunikate se Bashkimi Evropian beson fuqishëm se kjo marrëveshje është e mirë për Kosovën, për përparimin e saj dhe për të ardhmen e saj evropiane.

XS
SM
MD
LG