Lidhje

Vazhdon kriza bërthamore në Japoni, ndërsa afron përvjetori i Çernobilit

  • Xhejms Bruk

Vazhdon kriza bërthamore në Japoni, ndërsa afron përvjetori i Çernobilit

Vazhdon kriza bërthamore në Japoni, ndërsa afron përvjetori i Çernobilit

Një zyrtar sovjetik që bërtet histerikisht se nuk ka asnjë aksident në uzinën bërthamore të Chernobylit nuk është fytyra që industria e energjisë bërthamore të Rusisë do t’i pëlqente të projektonte në botë në këtë kohë që ka rrjedhje bërthamore në Fukushima.

Por kjo skenë pasqyrohet në dokumentarin dramatik Innocent Saturday rreth katastrofës bërthamore të Chernobylit që filloi të shfaqet në mbarë Rusinë një muaj para 25 vjetorit të shpërthimit dhe zjarrit në uzinën bërthamore sovjetike.

Filmi është i ndaluar në Bjellorusi, vendi që u prek më shumë nga katastrofa. Javën e kaluar, autoritetet bjelloruse nënshkruan një marrëveshje 9 presje 4 miliardë dollarëshe me fqinjën e saj Rusinë për të ndërtuar dy reaktorë bërthamor.

Marrëveshja e eksportit është pjesë e një përpjekje për ta bërë Rosatomin, kompania shtetërore bërthamore ruse, ndërtuesin kryesor të reaktorëve bërthamor në botë. Duke ndërtuar reaktorë në Turqi, Bullgari, Indi, Kinë dhe Iran, Rosatomi thotë se po ndërton një të katërtën e 60 uzinave bërthamore të botës.

Për të ndihmuar në përpjekjet për shitjet, presidenti rus Dmitry Medvedev publikoi një video tetë minutëshe në faqen e tij elektronike ku thotë se hartuesit rus ofrojnë barrierat e sigurisë maksimale.

Ai bëri thirrje për kufizime në ndërtimin e uzinave bërthamore në zonat e tërmeteve.

Por ambjentalistët rus thonë se reaktorët bërthamor janë në përdorim në zonat që preken nga tërmetet në ish Bashkimin Sovjetik si Armeni dhe në Rostov në Rusinë Jugore.

Rusia ka në plan të ndërtojë brenda vendit edhe 11 reaktorë të tjerë gjatë dekadës së ardhshme, duke e rritur përqindjen e energjisë bërthamore të vendit nga 16 në 25. Jashtë vendit Rosatomi kërkon të trefishojë shitjet në 50 miliardë dollarë deri në vitin 2030.

Kreu i grupit ambjentalist rus Eco-Defense, Vladimir Slivyak, drejtoi një protestë anti-bërthamore përpara selisë së Rosatomit në qendër të Moskës. Ai flet për parashikimet e shitjeve të kompanisë:

"Kjo është propagandë e qeverisë. Nuk besoj se janë në gjendje të shesin atë sasi reaktorësh në vit ose as në një dekadë. Qeveria ruse tani duhet të përhapë sa më shumë propagandë që të jetë e mundur për ti bërë rusët të besojnë se industria bërthamore e Rusisë është shumë e mirë dhe shumë më e përparuar sesa industria bërthamore perendimore."

Slivyak thotë se 11 nga 32 reaktorët bërthamor që punojnë në Rusi janë të kohës së Chernobylit, të ndërtuar sipas modelit të viteve 70. Njërit, në afërsi të Shën Petersburgut, iu shtua garancia edhe për 15 vjetë të tjera.

Javën pas aksidentit bërthamor në Japoni, kryeministri rus Vladimir Putin urdhëroi një rishikim të sigurisë bërthamore në Rusi. Por ndërsa çmimet e energjisë që janë rritur 15 përqind këtë vit, një vit zgjedhjesh, qeveria nuk do të heq nga përdorimi reaktorët e vjetër.

Por këta reaktorë janë pjesë e një problemi më të gjerë. Rusia e ditëve moderne po mbështetet në investimet infrastrukturore të dekadave të fundit të Bashkimit Sovjetik.

Një thirrje zgjimi erdhi dy vjet më parë, kur u thyen bullonat e turbinave në hidrocentralin Sayano Shushenskaya, më i madhi në Rusi. Uji i furishëm hodhi në ajër turbinën 1 mijë tonëshe si të ishte lodër. Aksidenti mori 75 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme që do të duhen katër vjet të riparohen. Për aksidentin u fajësua mirëmbajtja e pakujdesshme e uzinës së instaluar 40 vjetë më parë.

Në Gjermani, kancelarja Merkel ndërpreu operacionet në shtatë uzina të vjetëruara bërthamore në pritje të rezultateve të testimit. Udhëheqësja gjermane e bëri këtë lëvizje për të parandaluar një fushatë anti-bërthamore në rritje.

Por në Rusi, përqasja ndaj energjisë bërthamore është shpesh – larg syve, larg zemrës.

Drejtori i fushatës Greenpeace në Rusi Ivan Blokov thotë se opozita është shpesh e fuqishme.

"Gati 75 deri në 92 përqind e popullësisë është kundër saj. Por kur njerëzit nuk shohin një uzinë bërthamore në kopshin e tyre, ata thjesht as që duan t’ja dinë."

Por përvjetori i Chernobylit përkoi edhe me motin e mirë pranveror dhe protesta më të mëdha anti-bërthamore mund të ndodhin në Rusi.

"Më 26 prill, në përvjetorin e 25-të të Chernobylit ne po planifikojmë të organizojmë protesta më të mëdha dhe ndoshta më të fuqishme."

Rrjedhja bërthamore nga reaktori i dëmtuar në Japoni e shoqëruar me përvjetorin e Chernobylit mund të ndryshojë mendimin e publikut në Rusi, tani për tani një nga mbrojtësit më të flaktë të energjisë bërthamore.

XS
SM
MD
LG